VOA: Zoti Rosenthal, Organizata juaj merret me mbrojtjen e të drejtave të personave me paaftësi mendore. Përse zgjodhët Kosovën si një vend për të kryer një studim të tillë?
Eric Rosenthal: Ne vendosëm të studiojmë të drejtat njerëzore të personave me paaftësi mendore në Kosovë, sepse e dinim se ndihma të zgjeruara financiare ndërkombëtare atje dërgoheshin për të ndihmuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe për njerëzit me paaftësi mendore në përgjithësi. Ne kemi parë që gabime shumë të rënda të jenë bërë në vende të tjera, ku ndihma të huaja financiare janë dërguar për të ndihmuar njerëzit me paaftësi mendore, por që në disa raste i kanë dëmtuar ata. Sepse shumë vende kanë trashëguar institucione të mëdha, të vjetëruara e të pafrytshme, për jetimë e për të rritur me të meta mendore. Dhe në vend që t’i ndihmonin këta njerëz, që të largoheshin nga këto institucione të dëmshme e të fillonin një jetë të re në shoqëri, programet e ndihmave të huaja në shumicën e vendeve të tilla si Rumania, Rusia, apo Armenia, u përdorën për të rindërtuar institucione, që nuk ishin fare për këta njerëz. Prandaj ne shkuam në Kosovë, për t’i parë këto programe për të parë në se po ndodhte i njëjti problem.
VOA: Dhe pas dy vjet studimi të gjendjes në Kosovë, në këto institucione, çfarë patë atje?
Eric Rosenthal: Ne gjetëm dy lloj problemesh. I pari ishte që në qëndrën më të madhe në Shtime, ku jetojnë rreth 230 të rritur. Ne gjetëm përsëri problemin që kishim frikë se do të gjenim. Sipas autoriteteve të OKB-së, shumica e njerëzve nuk duhet të ishin në këto institucione. Dhe programet në të gjithë botën kanë treguar se njerëz me vonesa mendore mund të bëjnë një jetë normale edhe në gjirin e shoqërisë. Por ne vumë re që ndihmat e huaja financiare dërgoheshin aty dhe qeveria holandeze sapo kishte dhënë një hua të re të madhe për të rindërtuar këtë institucion në Shtime. Pra në vend që të ndihmojnë njerëzit të kthehen në shoqëri, dhe të bëjnë një jetë normale, paratë e huaja përdoren për të rindërtuar këtë institucion. Ne zbuluam edhe një problem tjetër, që na habiti. Ne morëm njoftime të shumta për përdorim të dhunës dhe të përdhunimeve seksuale në institucion. Por jo vetëm në Shtimë, por edhe në pavionin psikiatrik të spitalit të përgjithshëm të universitetit të Prishtinës, në azilin e pleqve e në qëndra të tjera. Dhe ne u shkruam një letër shumë të ashpër autoriteteve të OKB-së, lidhur me këtë dhunë. Dhe kërkuam prej tyre që të ndërmerrnin veprime të menjëhershme për të mbrojtur njerëzit. Por për fat të keq ne morëm si përgjigje një letër të zgjeruar në të cilën thuhej se ato për të cilat ne shkruanim nuk ishin të vërteta.
VOA: Ju keni qenë edhe në vende të tjera, ku keni kryer studime të ngjashme. Çfarë vendi zë Kosova në krahasim me këto vende.
Eric Rosenthal: Ajo që do të thoshja është se në disa drejtime gjendja është më e mirë, në disa drejtime të tjera është më keq. Janë dërguar më shumë ndihma financiare për institucionet në Kosovë, sesa në ndonjë vend tjetër të rajonit. Nga pikëpamja materiale kushte ishin më të mira. Por ne vumë re keqtrajtime në drejtime të tjera. Mungonte trajtimi shëndetësor mjekësor dhe psikiatrik, për njerëzit me të meta mendore nuk tregohej kujdes mjekësor. Dhe pastaj problemi i abuzimit fizik dhe seksual, që nuk mund të justifikohen. Asgjë nuk i mbronte gratë nga përdhunimi seksual. Dhe ky është një problem shumë i rëndë.
VOA: Ju thatë që iu adresuat Unmikut për zgjidhjen e këtyre problemeve, por Unmiku dhe Kombet e Bashkuara mbajtën një qendrim mohues. Si mendoni ju se probleme të tilla do të zgjidhen në qoftë se njëra palë nuk i pranon kushtet e vështira?
Eric Rosenthal: Kombet e Bashkuara duhen lavdëruar, për masat urgjente që morën menjëherë, pasi mbërritën në Kosovë. Kushtet në institucione ishin të tmerrshme dhe ndihma humanitare u shpëtoi jetën shumë njerëzve. OKB-ja duhet vlerësuar për këtë. Një problem lindi pas kësaj, kur ata filluan të zbatojnë një plan madhor, në bazë të të cilit kërkohej që njerëzit me vonesa mendore duhet të ndaheshin nga shoqëria. Ne kemi punuar nga afër me grupe veprimtarësh në Kosovë. Aty ka grupe të mrekullueshme, grupe për të drejtat e grave, një grup për të drejtat e njerëzve me të meta fizike, grupe si Nënë Tereza, që ka një strehë shumë të mirë për njerëz me paaftësi mendore. Besoj që ndryshimet ndodhin vetëm kur grupe veprimtarësh, kur njerëz me paaftësi dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut në Kosovë të kërkojnë ndryshime. Pra raporti ynë do t’u bëjë trysni Kombeve të Bashkuara nga jashtë. Ne do të përdorim raportin tonë për të bërë që donatorët e huaj t’i kalojnë ndihmat e tyre financiare nga institucionet shëndetësore në programet shëndetësore në komunitete. Por kjo ndihmë nga jashtë duhet të vijë me mbështetjen e njerëzve në Kosovë që do të kërkojnë t’u jepet fund këtyre abuzimeve.
VOA: Është ky një problem i trashëguar nga e kaluara, apo problem i krijuar gjatë periudhës së administratimit të Kosovës nga ana e Unmikut?
Eric Rosenthal: Siç thashë, OKB-ja trashëgoi një problem shumë serioz, kur erdhi në Kosovë. Por në çdo vend të botës, në Evropën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara, bazuar në standardet e njohura nga kombet e Bashkuara, njërëzit me të meta dhe vonesa mendore kanë të drejtën njerëzore që të jetojnë si pjesë e shoqërisë. Kështu që OKB-ja eci në kundërshtim me politikën publike me të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe në vend që të mendonte që njerëzit me të meta mendore, dhe njerëzit në Shtime që të ktheheshin në shoqëri, i përdori ndihmat e huaja për të rindërtuar institucionet e trasheguara. Ne mendojnë se ky ishte një gabim shumë i madh. Këto politika duhet të ndryshojnë tërësisht. Në vend që të përkrahen institucionet paratë duhen përdorur në strehimet në shoqëri, në shërbimet shëndetsore dhe të krijojnë një sistem për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut dhe për t’i mbrojtur këta njerëz nga keqtrajtimet fizike dhe seksuale.
VOA: Zoti Rosenthal ju falemnderit.