Lidhje

Bashkëpunim i ri ekonomik Irak-Rusi - 2002-08-17


Administrata e Presidentit Bush tha se pret që Rusia t’i respektojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, edhe në qoftë se nënshkruan me Irakun një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik prej 40 miliardë dollarësh, siç është njoftuar.

Por Shtëpia e Bardhë tha dje se nuk mund ta konfirmonte njoftimin se Moska dhe Bagdadi po përgatiteshin të nënshkruanin një marrëveshje të tillë siç njoftohej në gazetën The Washington Post dhe nga ambasadori i Irakut në Moskë, Abbas Khalaf.

Zëdhënësja Claire Buchan, tha se Shtëpia e Bardhë ka besim se Rusia i ka të qarta detyrimet që rrjedhin nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara, që e lejojnë Irakun të shesë një sasi të kufizuar nafte për të blerë ushqime dhe ilaçe. Ambasadori Khalaf tha se marrëveshja 5-vjeçare që mbulon bashkëpunimin në fushën e naftës, energjisë elektrike dhe sektorë të tjerë të ekonomisë nuk përbën shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Njoftimi i zotit Khalaf bëhet ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përpiqen të sigurojnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për një ndërhyrje të mundëshme ushtarake kundër Irakut për të përmbysur nga pushteti udhëheqësin irakian, Sadam Husein.

Të premten, presidenti Bush tha se çdo njeri duhet ta kuptojë se udhëheqësi irakian përbën problem për fqinjët e tij dhe se ai synon të prodhojë armë të shkatërrimit në masë. Presidenti tha se po i kushton vëmëndje debatit lidhur me ndërhyrjen e mundshme ushtarake amerikane për të përmbysur nga pushteti Sadam Huseinin. Por ai shtoi se do të vendosë se çdo të bëjë, duke u bazuar në njoftimet më të fundit të zbulimit si dhe në vlerësimet e tij se si të mbrojë më së miri Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.

XS
SM
MD
LG