Lidhje

Ilaç i ri kundër depresionit - 2002-08-20


• Agjencia amerikane e ushqimeve dhe ilaçeve miratoi përdorimin e një ilaçi të ri për trajtimin e depresionit. Ilaçi quhet Leksapro. Ai është provuar si shumë më i dobishëm dhe dy herë më i fuqishëm sesa ilaçi i deritanishëm Celeksa.

Rezultatet e ilaçit të ri fillojnë të vihen re që në javën e parë të përdorimit. Në provat klinike, Leksapro ka treguar se është në gjendje të largojë shpejtë simptomat e depresionit, efektet anësore të tij janë shumë të pakta, dhe ka shumë pak gjasa të hyjë në reaksion me ilaçe të tjera. Miratimi i këtij ilaçi ndihmon për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me trajtimin e depresionit, përfshi efektet e rënda anësore të ilaçeve të deritanishme. Gjatë provave doli se doza fillestare prej 10 miligram Leksapro në ditë është po aq efektive sa një dozë me ilaçin Celeksa prej 40 miligramësh në ditë. Gjithashtu, shumë pacientë që iu nënshtruan kurës me Leksapro me 10 miligram në ditë treguan shenja të mëdha përmirësimi të depresionit që në javën e parë ose të dytë të kurës.

*****************************************

Dy vajza binjake të lindura të bashkuara u dërguan javën e kaluar nga një fshat i thellë malor në veri të Perusë për në kryeqytetin Lima, ku mjekët do të studiojnë mundësinë e ndarjes së tyre. Mjeku pediatër Aldo Manrique, që kujdeset për to thotë se dy foshnjet janë të bashkuara në gjoks dhe në bark. Secila prej tyre ka zemrën dhe mushkritë e veta, por zorrët duket se i kanë të përbashkëta. Dy binjaket mbahen tani në një inkubator në spitalin e fëmijëve në Lima. Mjekët thonë se po studiojnë nëse ekziston mundësia e kryerjes së një operacioni për shkëputjen, pa rrezikuar jetën e tyre.

****************************************

Ilaçi Diovan për trajtimin e presionit të lartë të gjakut tani mund të përdoret edhe në trajtimin e sëmundjeve të zemrës. Sipas të dhënave, Ilaçi Diovan ul rastet e vdekshmërisë në 41 përqind tek të sëmurët nga zemra. Sëmundjet e zemrës përbëjnë një problem të madh shëndetsor në Shtetet e Bashkuara. Çdo ditë 1500 amerikanë diagnostikohen me sëmundje të zemrës.

*******************************************

Njerëzit kanë një numër tiparesh të përbashkëta me majmunin, por ata ndahen nga njëri tjetri edhe nga disa karakteristika kyçe, një prej të cilave është aftësia për të folur. Në fakt, shumë shkencëtarë besojnë se të folurit ka qënë një nga parakushtet për zhvillimin e kulturës njerëzore. Megjithatë, si dhe kur u zhvillua gjuha askush nuk mund të thotë gjë me saktësi. Por rezultatet e një studimi botur këto ditë në revistën Nature mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij misteri. Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar një ndryshim të thellë midis variantit njerëzor të gjenit i njohur si FOKSP2 që lidhet me të folurin dhe variantet e gjetura tek majmunët. Ky ndryshim, thonë ata, tregon se gjeni FOKSP2 ka qënë objekt seleksionimi natyror gjatë procesit të evolucionit që i dha mundësi njeriut të kontrollojë lëvizjet e gojës dhe laringut, një aftësi që majmunëve u mungon. Shkencëtarët thonë se ky proces mund të ketë filluar 200 mijë vjet më parë, afërsisht në kohën e shfaqjes për herë të parë të njeriut me tiparet anatomike që ka sot.

XS
SM
MD
LG