Lidhje

Arrestimi i Augustin Bizimungut - 2002-08-23


Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të çojnë para drejtësisë personat që kryejnë akte masive vrasjesh. Siç tha ambasadori amerikan për çështje të krimeve të luftës, Pierre-Richard Prosper, “Ka ardhur koha që të ngushtohet rrjeta përreth kriminelëve të luftës.” Personi i fundit që u kap në këtë rrjetë, është ish-shefi i shtabit të forcave ushtarake të Ruandës, gjeneral Augustin Bizimungu. Ai u arrestua nga qeveria e Angolës dhe iu dorëzua autoriteteve të gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Ruandë, me seli në Arusha të Tanzanisë.

Ndaj zotit Bizimungu është ngritur padi nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai akuzohet se ishte një nga udhëheqësit e rrjetit që mban përgjegjësinë për masakrën që ndodhi në Ruandë në vitin 1994. Midis prillit dhe qershorit të atij viti, u vranë rreth 800 mijë burra, gra dhe fëmijë. Shumica e viktimave ishin pjestarë të pakicës Tutsi. Kjo masakër ishte planifikuar nga qeveria e Ruandës, e cila në atë kohë mbizotërohej nga një fraksion ekstremist i shumicës Hutu të vendit. Në disa raste, ushtarë dhe anëtarë të milicisë detyruan qytetarë të thejshtë hutu të vrisnin fqinjtë e tyre tutsi. Gjenerali Augustin Bizimungu akuzohet se kishte drejtuar personalisht stërvitjen e milicive që kryen këto krime.

Shtetet e Bashkuara përshëndesin kapjen e gjeneralit Bizimungu. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një nga përkrahësit më të fuqishëm të nevojës për ngritjen e gjykatave për krime lufte, siç është ajo për Ruandën. Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara e zgjeruan programin e tyre Shpërblim për Drejtësi, duke përfshirë individë të akuzuar nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Ruandë. Augustin Bizimungu ishte mes personave më të kërkuar. Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Philip Reeker, “programi Shpërblim për Drejtësi ka dhënë ndihmesë në përpjekjet për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm për nevojën e kapjes së gjeneralit Bizimungu dhe dërgimin e tij në gjykatën ndërkombëtare të Arushës.

Rrjeta përreth ruandezëve të akuzuar për krime lufte do të vazhdojë të ngushtohet. Kombet e Bashkuara njoftuan kohët e fundit se do të paguajnë për 18 gjykatës të rinj për të gjykuar rastet që i janë paraqitur gjykatës për krime lufte.

Gjaku i 800 mijë burrave, grave dhe fëmijëve afrikanë thërret për drejtësi. Shtetet e Bashkuara do të punojnë në Ruandë dhe gjetiu për të siguruar që vrasësit e njerëzve të pafajshëm të arrestohen dhe të gjykohen për krimet e tyre të tmerrshme.

XS
SM
MD
LG