Lidhje

Maqedoni, rrëmbehet një person - 2002-09-07


Tre persona të armatosur morën peng një udhëtar, pasi ndaluan të shtunën në mëngjes, rreth orës 7, një autobus të kompanisë turke ”Alp Turist” në rrugën Tetovë-Gostivar. Udhëtari i marrë peng, identiteti i të cilit nuk dihet ende, është dërguar në drejtim të panjohur. Po kështu ende nuk ka të dhëna për identitetin e tre rrëmbyesve, ndërkohë që policia thotë se po përpiqet për t’i gjetur ata dhe për të liruar personin e marrë peng. Burimet zyrtare thanë se gjatë natës dhe të shtunën herët në mëngjes, në Tetovë ka patur të shtëna dhe se është hapur zjarr nga një makinë në lëvizje e sipër në qytetin e Tetovës, por nuk njoftohet për viktima.

Ndërkohë, të shtunën në median maqedonase komentohet gjerësisht deklarata e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Goran Mitevski, i cili ka njoftuar se mund të ngrihen akuza për vepra penale kundër redaktorëve të mjeteve të informimit dhe diplomatëve të huaj. Sipas zotit Mitevski, këta të fundit nuk do të arrestohen, por do të dëbohen nga vendi. Akuzat bazohen në ato që autoritetet e Ministrisë së Brendshme i quajnë ”skenarë për diskreditimin e autoriteteve aktuale në vend”. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e konsideron këtë si përpjekje për të vendosur censurë dhe për të përhapur frikë mes gazetarëve.

Ministria e brendshme njoftoi të premtën akuza penale kundër tri figurave të njohura në vend. Njëri prej të akuzuarve është ish-ministri i mbrojtjes, Vllado Buckovski, një nga zyrtarët më të lartë të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë në opozitë, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të vendit, pas lidhjes së marrëveshjeve me dy firma.

Dy akuza të tjera të Ministrisë së Brendshme ngrihen kundër ish-Prokurorit Publik të Maqedonisë, Stefan Pavlevski, në lidhje me atentatin kundër ish- Presidentit maqedonas, Kiro Gligorov, dhe kundër një gazetari maqedonas të së përjavshmes ”Start”, Marjan Gjurovski, i cili akuzohet për një shkrim të botuar në këtë organ. //az

XS
SM
MD
LG