Lidhje

Rumsfeld: Sulmet ishin kundër njerëzve kudo në botë që besojnë tek liria - 2002-09-12


Këtë javë, amerikanët dhe popujt e tjerë kujtuan sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit të kaluar. Siç tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ato nuk ishin sulme vetëm kundër Shteteve të Bashkuara, por kundër njerëzve kudo në botë të cilët besojnë tek liria, janë tolerantë dhe mbrojnë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.” Këto norma janë e kundërta e terrorizmit, i cili kërkon të frikësojë, dominojë dhe nënshtrojë burra dhe gra të lirë nëpërmjet frikës dhe shkatërrimit.”

Në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara u shpallën luftë terroristëve kudo që janë. Rreth 90 vende të botës u bashkuan në këtë luftë. Vendet e tjera ndihmuan duke bllokuar pasuritë e terroristëve, ndihmuan me transport ajror, baza fluturimi, dhe të drejta fluturimi mbi territoret e tyre, si dhe me forca ushtarake.

Tani që terroristët e al-Qaidës dhe përkrahësit e tyre talebanë janë dëbuar nga Afganistani, disa njerëz nuk janë të sigurt nëse lufta kundër terrorizmit duhet të vazhdojë. Ka njerëz, tha sekretari Rumsfeld, të cilët pavarësisht nga provat që tregojnë të kundërtën, shpresojnë se terroristët janë të paktë në numër, se dhuna nuk do të përhapet, aktet terroriste nuk do të shtohen në numër dhe intensitet, dhe se armët që do të përdoren në të ardhmen nuk do të jenë më të tmerrshme se ato të përdorura në të kaluarën, se politikat e frenimit, diplomacia, apo në rastin më të keq, paqëtimi, do të kenë sukses aty ku më parë kanë dështuar.”

Këto mendime nuk përfillin disa fakte të pamohueshme. Armët kimike, biologjike dhe bërthamore jo vetëm që egzistojnë, por ato po përhapen akoma më shumë. Ka shtete terroriste që tashmë zotërojnë armë të tilla të shkatërrimit në masë dhe ka të tjera që po kërkojnë ti shtijnë ato në dorë. Këto shtete kanë marrëdhënie me grupe dhe rrjete terroriste.

Gjithashtu është e qartë, tha zoti Rumsfeld, se ”në ndryshim nga luftrat e së kaluarës, ku nevojitej kohë për ti grumbulluar forcat ushtarake dhe për ti pozicionuar ato për të mundur armikun, armët e shkatërrimit në masë mund të zhvillohen fshehurazi dhe të përdoren pa ndonjë paralajmërim, duke lënë kështu pak kohë për tu përgatitur për përgjigje.”

Në një situatë të tillë, kur rreziku është kaq i madh, dhe mundësitë për gabime tepër të vogla, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lënë veten të pambrojtur ndaj një sulmi tjetër terrorist si ai i 11 shtatorit të vitit të kaluar, sulm nga i cili mund të vriten jo thjesht mijra, por dhjetra mijra vetë. Siç tha sekretari Rumsfeld, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme të veprojnë për të mbrojtur veteveten pa pritur që të sulmohen përsëri. Ky është kuptimi i luftës kundër terrorizmit sot.

XS
SM
MD
LG