Lidhje

Condoleeza Rice takohet me ministrin Meta - 2002-09-18


Këshilltarja e presidentit Bush për Çështje të Sigurimit Kombëtar Condoleeza Rice, priti dje në Shtëpinë e Bardhë zëvendës-kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Shqipërisë Ilir Meta. Pas bisedës me zonjën Rice, ministri Meta zhvilloi një takim me gazetarët ku theksoi se këshilltarja e presidentit përgëzoi punën e qeverisë shqiptare në të mirë të qëndrueshmërisë në rajon dhe angazhimin e saj në luftën kundër terrorizmit.

Zonja Rice, tha ministri Meta për gazetarët, lavdëroi politikën rajonale të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për të moderuar zhvillimet në Evropn jug-lindore si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet fqinje. Zonja Rice, vazhdoi zëvendës-kryeministri Meta, vlerësoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit:

“Zonja Rice ka vlerësuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri; zgjedhjen e presidentit me mirëkuptim të gjerë të pozitës dhe të opozitës dhe faktin që Shqipëria sot ka më shumë stabilitet politik se disa muaj më parë. Së dyti ajo ka vlerësuar shumë politikën konstruktive dhe produktive të Shqipërisë në rajon, veçanërisht me vendet fqinje,” tha ministri i jashtëm.

Ministri Meta theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në luftë kundër korrupsionit. I pyetur në lidhje me skandalin e përvetësimit të fondeve në tenderin e pasaportave, zoti Meta vuri në dukje se autoritetet përkatëse po zhvillojnë hetime dhe se ai vetë është plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me këto autoritete për të ndiçuar çështjen:

“Unë shpreh vendosmërinë time për të kontribuar në sqarimin e kësaj çështjeje për të bashkëpunuar edhe me Prokurorinë, meqenëse kam qenë kryeministër në kohën kur është zhvilluar tenderi i pasaportave,” tha ministri Meta.

Qeveria shqiptare është akuzuar kohët e fundit se nuk ka bërë sa duhet për të zgjidhur problemet e lëvizjes së emigrantëve në kufirin Shqipëri-Greqi. Ministri vuri në dukje përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të asaj greke për të përmirësuar infrastrukturën që lidh dy vendet në mënyrë që të përballohen lëvizjet e shtuara të emigrantëve.

I pyetur në lidhje me fatin e emigrantëve shqiptarë që kthehen në Shqipëri nga autoritetet greke për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata greke, ministri Meta shprehu besimin se me bashkëpunimin dy palësh ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë probleme të tilla të jenë gjithnjë e më të rralla.

XS
SM
MD
LG