Lidhje

Konferenca për trafikun njerëzor, thirrje për masa parandaluese - 2002-09-21


Konferenca për trafikun njerëzor që përfundoi dje në Belgjikë arriti në përfundimin se Evropa ka nevojë për ligje të reja për të ndërprerë aktivitetin e bandave kriminale që merren me trafikimin e grave e fëmijëve dhe i detyrojnë të bëjnë punë të detyruar ose i kthejnë në skllevër të seksit.

Në projekt-deklaratën e dalë nga takimi i Brukselit thuhet se strategjia evropiane kundër këtij lloj trafiku që është shndërruar në një biznes prej miliarda dollarësh, duhet të jetë tërësore dhe të shtrihet si në vendet që shërbejnë si origjinë e trafikut, ashtu edhe në vendet-tranzite e destinacionin përfundimtar.

Ajo parashikon masa konkrete parandaluese, ndihmë për viktimat dhe bashkëpunim midis policisë dhe drejtësisë. Në dokument theksohet veçanërisht shfrytëzimi i punës dhe seksit të detyruar, duke i bërë shumë prej viktimave të jetojnë në kushte gati skllavërie.

Dokumenti u miratua nga mbi 1 mijë specialistë të organeve të rendit, aktivistë të drejtave të njeriut dhe ligjvenës që morrën pjesë në takimin tri ditor. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin, që organizoi konfgerencën, vlerëson se çdo vit, rreth 700 mijë vetë bien viktima të trafikut njerëzor. Ky trafik mendohet se është kthyer në biznesin me rritjen me të shpejtë të botës së krimit të organizuar. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin, Brunson McKinley thotë se takimi ishte një moment i rëndësishëm dhe se tani duhet të fillojë marrja e masave konkrete.“Tani duhet të lëvizim konkretisht. Duhet të ndihmojmë viktimat. Duhet të hartojmë programe që do t’i japin fund këtij trafiku dhe do tçë ndihmojnë ata që tashmë kanë rënë viktima të tij.”

Konferenca u organizua në bashkëpunim me Parlamentin dhe Komisionin Evropian. Jorge Mollar, kryetar i komision parlamentar që merret me këtë çështje, thotë se tre ditët e diskutimeve i bënë të qarta përparësitë e stratregjisë në luftën kundër këtij fenomeni. “Në konferencë u bë e qartë se lufta kundër kësaj forme moderne të skllavërisë do të jetë një nga objektivat kryesore të jetës së përditshme të institucioneve.”

Ekspertët thonë se sot në epokën e globalizimit, shkëmbimet tregëtare dhe qarkullimi i njerëzve kanë arritur nivele rekord, por për fat të keq janë shtuar edhe krimi e shfrytëzimi. Konferenca po ashtu sugjeron shtimin e kontrolleve administrative për bizneset që mund të shoqërohen me trafikun. Këto përfshijnë agjensitë që pretendojnë se merren me turizëm, me punësim jashtë, me birësime apo shërbime të tjera të ngjashme. Dokumenti po ashtu bën thirrje për fushata publicistike për të rritur ndërgjegjësimin e rrezikut të madh që egziston për të rënë pre e këtij trafiku.

Projekt-deklarata duhet të miratohet tani nga 15 vendet e Bashkimit Evropian. //az

XS
SM
MD
LG