Lidhje

Zgjedhjet ne Serbi - 2002-09-24


Zgjedhjet e së dielës në Serbi përbëjnë një garë midis rrymave të ndryshme të nacionalizmit dhe pragmatizimit.

Kudo janë vendosur parrulla për zgjedhjet. Debati i kandidatëve po zhvillohet i gjallë si në televizion, edhe nëpër gazeta.

Pragmatistët përfaqësohen nga Miroljub Labus, ekonomisti kryesor reformator i qeverisë. Ai është profesor i ekonomisë, me moshë mesatare, dhe në krye të platformës së fushatës së tij zgjedhore ka anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Zotin Labus ka përkrahjen e profesionistëve të rinj dhe ai është kandidati i preferuar i diplomatëve perëndimorë.

Nacionalistët përfaqësohen në zgjedhje nga presidenti aktual i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica. Ai është partizan i krenarisë kombëtare të serbëve. Zoti Koshtunica madje ka sugjeruar rimarrjen nën kontroll të rajoneve ku banojnë serbët në Bosnje, megjithëse më pas iu desh të tërheqë këtë deklaratë.

Me shkrirjen graduale të federatës jugosllave, posti aktual i zotit Koshtunica nuk do të ekzistojë më. Zoti Koshtunica është politikani më popullor në Serbi, por në Beograd ekzziston përshtypja se ai nuk është shumë i interesuar për ekonominë.

Milko Stimac është drejtor i institutit të kërkimeve, i cili dy vjet të shkuara luajti një rol të rëndësishëm për ta bindur zotin Koshtunica t’i bënte sfidë Sllobodan Millosheviçit. Ai thotë se partia e zotit Koshtunica nuk i njeh mirë problemet ekonomike dhe se ekonomisti më i njohur i kësaj partie ka punuar për regjimin e mëparshëm.

Tre kandidatë të tjerë për presidentë kanë prirje edhe më tepër nacionaliste se sa vetë zoti Koshtunica. Por partia e Sllobodan Millosheviçit, nuk është një faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e muajit tetor. Asnjë kandidat nuk pritet të fitojë shumicën e votave të nevojshme për raundin e parë të votimeve. Pritet që për kandidaturën e zotit Labus dhe atë të zotit Koshtunica të votohet përsëri në garën përfundimtare pas dy javësh.

Sipas një skenari të tillë, i favorizuari do të jetë zoti Koshtunica. Analistët i referohen zgjedhjeve presidenciale si një parapërgatitje për zgjedhjet parlamentare, që pritet të zhvillohen pas 8 muajsh. Zoti Xhinxhiq është kryetar i Partisë Demokratike të opozitës, një koalicion i 18 partive, që fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2 mijë.

Rory O’Sullivan, shefi i misionit të Bankës Botërore në Beograd, thotë se reformatorët që punojnë me zotit Xhinxhiq dhe zotin Labus kanë bërë më tepër në 18 muaj nga sa është bërë gjetkë në vendet ish-komuniste të Evropës. Por një numër i madh serbësh nuk i kanë parë akoma përfitimet e reformave ekonomike, të cilat mbajtën nën kontroll inflacionin, filluan privatizimin, ruajtën shërbimet publike bazë dhe riaktivizuan tregëtinë. Një serb me të ardhuara mesatare 160 dollarë në muaj, nuk ka patur shumë fitime nga reforma.

Zgjedhjet e ditës së dielë në Serbi do të ndiqen nga afër nga vëzhguesit e Organizatës për Sigurimin dhe Bsshkëpunimin në Evropë.

XS
SM
MD
LG