Lidhje

Intervistë me David Tolbert, Drejtor Ekzekutiv i CEELI-t - 2002-10-03


David Tolbert, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare, CEELI, e cila u jep ndihmë juridike vendeve të Evropës Lindore, thotë se mbrojtja e shtetit juridik në Shqipëri kërkon gjyqtarë dhe juristë të guximshëm. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, zoti Tolbert tha se Shqipëria ende ka probleme të korrupsionit dhe të moszbatimit të reformës, por përparimi nuk ka munguar. -Kohët e fundit ju vizituat Shqipërinë. Në çfarë mase i ka arritur organizata juaj objektivat e saj për Shqipërinë. Për shembull, a është në shkallën e duhur besimi i publikut tek gjyqësori?

DT: Organizata jonë ka rreth 10 vjet që është e pranishme në Shqipëri. Mendoj se në fakt, duhen marrë 5 vitet e fundit, pra që nga viti 1997, për të patur një ide për shkallën e arritjeve. Mendoj se po fillojmë të shikojmë një farë përparimi. Kemi marrë disa angazhime nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të gjyqësorit. Kohët e fundit ne hartuam indeksin e reformës gjyqësore dhe ka disa shenja pozitive. Ende mbetet shumë për tu bërë. Puna jonë është larg përfundimit. Ka probleme të korrupsionit, të moszbatimit të reformës dhe rruga është e gjatë por përparim është bërë.

-Ju thoni se pavarësia e gjyqësorit është një ndër objektivat tuaja për Shqipërinë. Por në shumë raste, siç ka qenë rasti i deputetit Azem Hajdari, prokuroria vihet nën trysni të mëdha politike. Komenti juaj, ju lutem.

DT: Çështja që ngritët është shumë e drejtë. Ne patëm takime shumë interesante me zyrtarë të lartë të gjyqësorit, me kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili mendoj se është shumë i përkushtuar ndaj shtetit juridik dhe po ngul këmbë me forcë për pavarësinë e gjyqësorit. Mendoj se në këtë drejtim ka lëvizje. Por keni të drejtë se presionet politike ndaj gjykatave vazhdojnë. Mendoj se në vendet ku ne punojmë, është e nevojshme që të kemi një numër individësh të guximshëm, të cilët të kenë kurajon për të mbrojtur shtetin juridik. Në Shqipëri ne kemi individë të tillë, kemi angazhimet e shprehura nga disa prej figurave politike. Por kjo është luftë, sepse ka edhe kundërshtarë të shtetit juridik, është pastaj problemi i madh i korrupsionit, i cili duhet luftuar. Ai nuk luftohet vetëm nga lart por edhe nga poshtë. Njerëzit dhe shoqëria duhet të ngrihen kundër korrupsionit.

-Cilët janë këta njerëz që e kundërshtojnë shtetin juridik? A janë ata zyrtarë në nivele të larta të qeverisë?

DT: Unë nuk do të vija gishtin mbi ndonjë individ të veçantë por do të doja të theksoja se në të gjitha vendet në tranzicion me të cilat punojmë, ne shikojmë se ka gjykatës dhe juristë të guximshëm që ngrihen në mbrojtje të shtetit juridik por ka edhe nga ata që janë me mënyrën e vjetër të të vepruarit dhe duhet që edhe ata të bashkohen me ne në mënyrë që shteti juridik të mos mbetet një çështje individuale por të bëhet e të gjithëve.

-Në raste acarimesh politike, zyrtarët më të lartë shiptarë kanë ngarkuar njëri-tjetrin me akuza tepër të rënda. A nuk është detyrë e prokurorisë që të marrë inciativën dhe t’i hetojë këto akuza?

DT: Në rastet e akuzave për korrupsion, ashtu si dhe me akuzat për shkelje të tjera, është detyrë e prokurorisë që të hetojë dhe të shohë nëse eksistojnë apo jo prova për një krim të caktuar. Në rastin e aluzioneve për korrupsion, do të ishte e arësyeshme që prokurori të fillonte hetimin e akuzave të besueshme për korrupsion ose për shkelje të tjera dhe të shikojë nëse ka apo jo prova për të filluar ndjekjen e çështjes. Kuptohet, unë nuk mund të komentoj për çështje të veçanta lidhur me këtë, por shteti juridik do të jetë i efektshëm vetëm nëse prokurorët bëjnë punën e tyre, kryejnë hetime dhe merren me ato raste ku ka dëshmi për shkelje të ligjit.

-Çështja e gjykatës kushtetuese është një rast klasik i moszbatimit të ligjit themeltar. Gjykata Kushtetuese është gjykata supreme e vendit dhe vendimet e saj nuk diskutohen. Në Shqipëri ajo nuk u trajtua si e tillë gjatë debatit për ish prokurorin e përgjithshëm Arben Rakipi. Vendimi i saj nuk u pranua nga parlamenti. A nuk shikoni ju një problem të madh këtu, megjithëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë?

DT: Gjykata Kushtetuese ka një rol të qartë lidhur me kushtetutën: vendimet e saj janë përfundimtare dhe duhen zbatuar. Për mua kjo nuk ka diskutim. Edhe Komisioni i Venecias e ka thënë fjalën e tij për këtë çështje. Është e qartë: Në mënyrë që të respektohet shteti juridik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar. Kjo nuk vihet në pikëpyetje nga askush që është për reformën kushtetuese. Unë do të shpresoja që ky vendim të vihej në zbatim.

-Cilat janë planet tuaja të ardhëshme për Shqipërinë?

DT: Ne vazhdojmë të kemi një program shumë aktiv për Shqipërinë. Jam i lumtur që përmend këtu se organizata jonë CEELI do të zhvillojë mbledhjen e saj vjetore në Shqipëri në javën e parë të marsit vitin e ardhshëm. Aty do të marrë pjesë i gjithë personeli ynë në 23 vendet e rajonit ku ne veprojmë, që nga Shqipëria e deri në Taxhikistan. Në mbledhjen njëjavore që do të zhvillohet në Tiranë ne do të flasim për punën e një viti dhe do të kemi edhe seanca trajnimi. Pra, mezi po e presim kthimin në Tiranë.

XS
SM
MD
LG