Grupi ekstremist Hamas u zotua se do të hakmeret për një sulm izraelit në Rripin e Gazës, nga i cili u vranë të paktën 14 palestinezë dhe plagosën afro 100 të tjerë.
Udhëheqësi i grupit Hamas, Abdel Aziz Rantisi u bëri thirrje grupeve palestineze që të bashkohen në një valë sulmesh terroriste kundër Izraelit. Ai tha se palestinezët duhet të sulmojnë çdo sionist, duke i quajtur të gjithë izraelitët vrasës.
Dje herët, forcat izraelite sulmuan qytetin Kan Junis, bazë kjo e grupit Hamas. Zyrtarë palestinezë thonë se një raketë e qëlluar nga një helikopter luftarak izraelit kundër një grumbulli njerzish shkaktoi shumicën e të vdekurve e të plagosurve.
Palestinezët thonë se më pas, forcat izraelite hapën zjarr me automatikë dhe me një predhë tanku kundër një spitali, ku po dërgoheshin të vrarët e të plagosurit pas luftimeve.
Ushtria izraelite nuk përfilli njoftimet nga Hamasi dhe zyrtarë palestinezë, të cilët thanë se forcat izraelite vunë në shënjestër civilë të pafajshëm. Zyrtarë izraelitë thanë gjithashtu se sulmi ishte i rëndësishëm për parandalimin e sulmeve terroriste të kryera nga Kan Junis.
Washingtoni tha se është thellësisht i shqetësuar nga operacioni ushtarak izraelit, por shtoi se Izraeli gëzon të drejtën për tu vetë mbrojtur. Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Richard Boucher tha se Izraeli e kreu sulmin në zona të mbushura me civilë dhe hapi zjarr kundër një qendre mjeksore.
Zëdhënësi Boucher i bëri thirrje ushtrisë izraelite që të bëjë hetime mbi rrethanat në të cilat u shkaktuan viktimat dhe tha se Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli të parandalojë incidente të tilla tragjike në të ardhmen.//ze//