Lidhje

Drejtori i CIA-s paralajmëroi ligjvënësit amerikanë se Iraku mund të përdorë taktika terroriste - 2002-10-07


Drejtori i CIA-s, George Tenet, paralajmëroi ligjvënësit amerikanë se udhëheqësi irakian Sadam Husein mund të përdorë taktika terroriste në rast se mendon që një sulm ushtarak amerikan është i pashmangshëm.

Në një letër që i dërgoi dje komisionit të senatit mbi çështjet e zbulimit, zoti Tenet thoshte se tani duket që Bagdadi nuk ka ndërmënd të përdorë sulme terroriste me armë konvencionale, biologjike ose kimike. Por drejtori i agjencisë së zbulimit amerikan tha se Sadam Huseini mund të hezitojë më pak që të përdorë taktika të tilla në rast se beson që është në rrezik të përmbyset nga pushteti nëpërmjet një sulmi ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, kongresi amerikan filloi dje debatin zyrtar për një rezolutë që autorizon përdorimin e forcës ushtarake kundër Irakut.

Sekretari i shtetit Colin Powell i tha dje kongresit se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është më afër miratimit të një rezolute të ashpër, që kërkon çarmatimin e Irakut. Sekretari Powell tha se miratimi nga kongresi i rezolutës për përdorimin e forcës amerikane kundër Irakut do të përforconte pozitën e tij diplomatike me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Disa demokratë thonë se rezoluta i jep presidentit kopetenca të tepruara, megjithatë zyrtarët pohojnë se presin që si Senati edhe Dhoma e Përfaqësuesve ta miratojnë rezolutën deri të premten.

Po dje, presidenti Bush tha se forca ushtarake është alternativa e tij e fundit, por shtoi se ushtria duhet të jetë gati.//ze//

XS
SM
MD
LG