Lidhje

Shtetet e Bashkuara godasin celulat terrorite në vend - 2002-10-11


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, e quajti 4 tetorin një ditë vendimtare në luftën e Amerikës kundër terrorizmit. Ne kemi neutralizuar një celulë që dyshohej si terroriste brenda kufijve tanë, tha zoti Ashcroft. Po ashtu një amerikan i betuar, i stërvitur dhe i kapur në jihadin e dhunshëm është dënuar”.

Këtë muaj, agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve arrestuan katër persona të dyshuar si anëtarë të një celule të grupit terrorist al-Qaida në Portland të shtetit Oregon. Në konspiracionin për të cilin ata akuzohen kanë marrë pjesë 6 vetë. 5 prej tyre shtetas amerikanë, duke përfshirë edhe një individ me përgatitje ushtarake amerikane. Ata janë Jeffrey Battle, Patrice Lumumba Ford, Muhammad Bilal Ahmed Bilal, Habis al-Saoub dhe October Lewis.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, Battle, Ford, Muhammad Bilal, Ahmed Bilal dhe al-Saoub, thuhet se kishin marrë armë zjarri dhe ishin stërvitur për t’i përdorur ato. Në tetor të vitit 2001, thuhet se ata ishin përgatitur të shkonin në Afganistan për t’u bashkuar me trupat talebane dhe të al-Qaidës që luftonin kundër forcave amerikane dhe aleatëve të tyre. Battle, Ford, Muhammad Bilal dhe bashkëpunëtori i tyre Lewis janë nën arrest. Ahmend Bilal është sjellë në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar. Al-Saoub vazhdon të jetë i lirë diku në një vend tjetër. Në qoftë se gjenden fajtorë për këto krime, ata mund të marrin dënime të ndryshme deri me burgim të përjetshëm.

Krahas këtyre arrestimeve, një anëtar i al-Qaidës dhe një mbështetës i talebanëve janë nxjerrë para drejtësisë. Në Boston, Richard Reid pranoi fajësinë se u përpoq të aktivizonte një bombë në Fluturimin 63 të linjës ajrore Amerikan Airline. Reid tha në gjyq se ishte anëtar i al-Qaidës dhe “armik” i Shteteve të Bashkuara.

Në Virginia, një gjykatë dënoi John Walker Lindh-in me 20 vjet burgim. Ai shkoi në Afganistan, u regjistrua në ushtrinë talebane, dhe më pas u kap nga trupat amerikane. Lindh pranoi fajësinë se u kishte shërbyer talebanëve dhe kishte trasportuar eksploziv që përbën në vetvete një akt të dënueshëm.

Duket qartë se përpjekjet e Amerikës në luftën kundër terrorizmit po japin rezultate. Siç u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, John Ashcroft “sot një vit më parë, ne u zotuam të bënim çdo përpjekje dhe të përdornim çdo burim për të kapur terroristët dhe për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara. Ne nuk do të pushojmë deri sa drejtësia të vihet në vend dhe vendi ynë të jetë i sigurt”.//ic//

XS
SM
MD
LG