Lidhje

SHBA kërkon nga OKB që Jemaah Islamiyah të përfshihet në listën e organizatave terroriste - 2002-11-01


Amerika me të cilën janë bashkuar Australia, Indonezia dhe një numër vendesh të tjera partnere në mbarë botën, ka kërkuar nga OKB-ja që ta përfshijë grupin Jemaah Islamyah-n në listën e organizatave terroriste të cilat janë objekt sanksionesh. Shtetet e Bashkuara e kanë futur Jemaah Islamiyah-n në listën e organizatave të huaja terroriste, sipas ligjeve amerikane. Jemaah Islamyah apo Grupi Islamik ka celula që veprojnë në mbarë Azinë Juglindore. Objektivi i deklaruar nga kjo organizatë është krijimi i një shteti islamik ku të përfshihen Malajzia, Singapori, Indonezia dhe Filipinet Jugore.

Përcaktimi i Jemaah Islamyah si grup terrorist bëhet pas shpërthimit të 12 tetorit në ishullin Bali të Indonezisë, si pasojë e të cilit humbën jetën të paktën 190 persona. Megjithatë nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për këtë shpërthim.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera ka kohë që janë të vetëdijshme për kërcënimin që përbën Jemaah Islamiyah. Siç është shprehur Sekretari i Shtetit, Colin Powell, Jemmah Islamiyah, ka hartuar plane për shpërthime kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Singapor dhe ndaj interesave të disa vendeve të tjera në dhjetorin e vitit të kaluar. Për më tepër, tha sekretari Powell, anëtarët e Jemaah Islamiyah-s të arrestuar kohët e fundit në Singapor, Malajzi dhe Filipine kanë zbuluar lidhje me al-Qaidën.

Jemaah Islamiyah është themeluar nga Abdullah Sungkar, i cili vdiq më 1999. Vendin e tij si kryetar grupi e zuri Abu Bakar Bashir, klerik mysliman nga Solo e Indonezisë. Bashir është arrestuar kohët e fundit nga autoritete indoneziane.

Drejtues i operacioneve terroriste të Jemaah Islamiyah-s besohet se është Riduan Isamuddin-i, që njihet edhe me emrin Hambali. Thuhet se ai ka qenë përgjegjës për shpërthimet në disa kisha të Xhakartës dhe në 8 qytete të tjera indoneziane Natën e Krishtlindjes së vitit 2000, 18 vetë humbën jetën dhe 50 u plagosën. Edhe autoritetet në Malajzi, Singapor dhe Filipine e kanë lidhur Hambalin me komplotet terroriste.

Shtetet e Bashkuara do të bllokojnë çdo pasuri të Jemaah Islamyia-s në institucionet financiare amerikane. Do të jetë e dënueshme penalisht për këdo që me vetëdije përkrah këtë grup. Për më tepër, përcaktimi i Kombeve të Bashkuara për Jemaah Islamiyah si një organizatë terroriste do të kërkojë që vendet-anëtare të bllokojnë pasuritë e kësaj organizate. Siç është shprehur Sekretari i Shtetit Powell, ky do të ishte një sinjal i fuqishëm se vendet e Azisë Juglindore nuk do ta tolerojnë terrorizmin. //az//

XS
SM
MD
LG