Lidhje

Në Grozni rrëzohet një helikopter rus; 9 ushtarë humbin jetën - 2002-11-03


Një helikopter ushtarak rus u rrëzua në afërsi të kryeqytetit çeçen Grozni duke shkaktuar vdekjen e 9 ushtarëve në bord.

Zyrtarë ushtarakë rusë thonë se helikopteri u rrëzua nga një raketë e hedhur nga kryengritësit çeçenë në periferi të Groznit, jo shumë larg nga baza kryesore ushtarake ruse në Çeçeni.

Para këtij lajmi, ministri i Mbrojtjes, Sergei Ivanov, njoftoi se forcat ruse kishin filluar një operacion të ri madhor në Çeçeni. Zoti Ivanov tha se trupat kishin ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë ndaj objekteve në të gjithë republikën separatiste.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se të dhënat e zbulimit tregojnë se ekstremistët çeçenë po planifikojnë ato që ai i cilësoi si akte të reja terrori në Çeçeni dhe gjetiu.

Ofensiva pason incidentin dramatik në Moskë, në të cilin ekstremistët çeçenë mbajtën 800 persona peng për thuajse tri ditë.

Ndërkohë, lajmet bëjnë të ditue se i dërguari i lartë çeçen, Ahmed Zakajev, i cili kërkohet nga Rusia, mund të kërkojë strehim politik në Danimarkë.

Një përfaqësues i kryengritësve çeçenë tha se pritet që zoti Zakajev ta paraqesë këtë javë lutjen për strehim politik.

Zoti Zakajev, një nga ndihmësit kryesorë të presidentit separatist, Asllan Maskhadov, u arrestua të merkurën në Kopenhagë nga policia daneze, e cila veproi në bazë të një kërkese të Rusisë, ndërkohë që ai po merrte pjesë në një konferencë të mërgimtarëve çeçenë.

Rusia e akuzon zotin Zakajev se kishte ndihmuar në planifikimin e marrjes së pengjeve në teatrin e Moskës muajin e kaluar. Prokurorët në Moskë thonë se do t’u dërgojnë autoriteteve daneze të dhëna që vërtetojnë fajësinë e tij.

Rreth 120 pengje dhe 50 luftëtarë çeçenë humbën jetën kur forcat speciale ruse sulmuan teatrin për të liruar më shumë se 800 persona që mbaheshin peng. //az//

XS
SM
MD
LG