Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se presidenti Bush u ngazëllye nga fitorja historike e republikanëve në zgjedhje. Ndërkohë që udhëheqësit republikanë po ia atribuojnë në pjesën më të madhe fitoren e partisë së tyre popullaritetit të presidentit dhe fushatës së ashpër, zoti Fleischer tha se presidenti nga ana e tij beson se merita u takon vetë kandidatëve dhe atyre që u përqëndruan në ndryshimin e retorikës politike të Washingtonit. Presidenti nuk do të dalë sot përpara publikut pasi ka vendosur të lejojë votuesit të kenë kohë të shqyrtojnë rezultatet dhe domëthënien e tyre për Kongresin.
"Ai shpreson se ky është një mandatë për demokratët dhe republikanët të punojnë së bashku për të kapërcyer problemet dhe për të miratuar ligje. Presidenti do të punojë shumë nga ana e tij për tja arritur këtij qëllimi" tha zëdhënësi.
Presidenti Bush u telefonoi sot fituesve republikanë dhe demokratë duke u thënë se duhet të përqëndrohen për të krijuar brenda këtij viti departamentin në nivel kabineti të sigurimit kombëtar. "Çështja më e rëndësishme e pazgjidhur që kongresi duhet të punojë këtë vit është krijimi i departamentit të sigurimit kombëtar. Amerika mbetet një vend në luftë. Ne jemi një vend që kemi armiq që përpiqen të na sulmojnë. Dhe presidenti mendon se përparësia kryesore për kongresin këtë vit është të miratojë departamentin e sigurisë kombëtare" tha zoti Fleischer. Legjislacioni u bllokua nga senati me shumicë demokrate i cili refuzoi ti jepte presidentit autoritetin për të shkelur regulloret e shërbimeve civile në kohën e një emergjence kombëtare. Zoti Fleischer tha se presidenti është i kënaqur tani që do të ketë një senat që ka më shumë të ngjarë të bashkëpunojë me të. Kur kongresi i ri të bëj betimin në janar, kjo do të jetë hera e parë në 50 vjet që republikanët kanë kontroll në Shtëpinë e Bardhë dhe në të dy dhomat e kongresit.
//rd//