Lidhje

Bush: SHBA i kundërvihet fanatizmit dhe përndjekjeve fetare - 2002-11-15


Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është angazhuar në luftë globale kundër një rrjeti terroristësh që po përpiqet t’u imponojnë të tjerëve pikëpamjet e tyre ekstremiste. Beteja e parë e rëndësishme po zhvillohet në Afganistan, ku regjimi shtypës taleban, i mbështetur nga terroristët e rrjetit Al-Qaida të Osama bin Ladenit, u rrëzua nga pushteti. Populli i Afganistanit është përsëri i lirë.

Lufta kundër terrorizmit po zhvillohet edhe në fronte të tjera, përfshirë Jemenin, Filipinet dhe Indonezinë. Kudo që ndodhen, terroristët e al-Qaidës, do të ndiqen dhe do të sillen para drejtësisë.

Siç është shprehur presidenti George W. Bush, “Nëse e zhvillojmë këtë luftë për të mbrojtur parimet tona, ne duhet që vetë t’i respektojmë këto parime. Një ndër angazhimet më serioze të Amerikës është toleranca. Askush,” tha presidenti Bush, “nuk duhet gjykuar padrejtësisht nga pamja apo përkatësia e tij etnike ose besimi i tij fetar. Ne duhet t’i mbrojmë këto vlera të përparimit, pluralizmit dhe tolerancës,” tha presidenti.

Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë tolerance. Më shumë se 200 vjet më parë, George Washingtoni, presidenti i parë i Amerikës, tha se Shtetet e Bashkuara nuk i lënë shteg fanatizmit dhe nuk mbështesin përndjekjen. Siç ka thënë presidenti Bush, “Kjo ishte politika jonë në kohën kur u themelua kombi ynë. Kjo është politika jonë sot.”

Amerika u kundërvihet të gjitha formave të mungesës së tolerancës fetare. Amerika ndjen dhimbjen e të gjitha viktimave të fanatizmit fetar. Amerika,” tha presidenti Bush, “u kundërvihet të gjithë atyre që kryejnë të këqia në emër të Zotit.”

Më shumë se 1 miliard myslimanë në mbarë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po kremtojnë tani muajin e Ramazanit. Në bazë të mësimeve të fesë myslimane, ky muaj i shenjtë përkujton momentin kur profetit Muhamed filluan t’i zbulohen mësimet e Zotit në Kuran. Siç ka thënë presidenti Bush, “Ramazani dhe sezoni i festave që po afron janë një moment i përshtatshëm për të kujtuar lidhjet e miqësisë dhe respektit që na mbajnë së bashku. Duke mësuar nga njëri-tjetri, ne mund të ndërtojmë urat e besimit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë. Duke punuar së bashku, ne mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për popujt e të gjitha besimeve,” tha presidenti. //ad//

XS
SM
MD
LG