Lidhje

Iraku pranon rezolutat e Kombeve të Bashkuara - 2002-11-19


Miratimi njëzëri nga ana e Këshillit të Sigurimit i rezolutës 1-4-4-1 ishte një hap pozitiv drejt përpjekjeve për t’i hequr Irakut armët e tij të shkatërrimit në masë. Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha një mundësi të fundit regjimit të Sadam Huseinit. Regjimi irakian e pranoi rezolutën e Kombeve të Bashkuara, e cila është e detyruar për Irakun. Inspektorët e armëve të OKB-së do të kthehen në Irak për herë të parë që nga koha kur Bagdati ndërpreu bashkëpunimin me ta në vitin 1998. Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, “Tani Sadam Huseini duhet ta ketë të qartë se kjo nuk është vetëm një çështje ndërmjet Irakut dhe Shteteve të Bashkuara, por ndërmjet Irakut dhe një bote të bashkuar.”

Një përvojë e gjatë me Sadam Huseinin tregon se diktatori irakian përgjigjet vetëm kur gjendet përballë një vendosmërie të mbështetur nga kërcënimi i pasojave serioze. Fjalët e rezolutës së OKB-së janë të qarta. Është vënë re se Iraku i ka shkelur detyrimet e tij për të mos prodhuar armë të shkatërrimit në masë. Iraku duhet të bëjë një deklaratë të plotë lidhur me programet e tij të armëve. Sadam Huseini duhet të lejojë hyrjen e menjëhershme, të papenguar dhe të pakushtëzuar të inspektorëve të armëve dhe të bashkëpunojë aktivisht me këta të fundit. Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, “Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin inspektorët me çdo mënyrë.” Dhe bota do të jetë dëshmitare.

Politika amerikane nuk do të bëjë asnjë lëshim. Mbështetja e rezolutës së OKB-së 1-4-4-1 me kërcënimin bindës të pasojave serioze, është mënyra më e mirë për të asgjësuar armët irakiane të shkatërrimit në masë dhe për të bërë që Iraku t’i zbatojë të gjitha rezolutat e OKB-së. Qëllimi, tha zoti Powell, është të bëjmë të mundur “që Iraku të mos kërcënojë popullin e tij, fqinjët e tij dhe botën.”

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të parapëlqenin që Iraku të bindej dhe të çarmatosej në mënyrë paqësore nën kujdesin e OKB-së. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk duan luftë me Irakun. “Por, tha Sekretari i Shtetit, Powell, ne nuk do të zmbrapsemi nga lufta, në se kjo mbetet e vetmja rrugë për t’i hequr Irakut armët e tij të shkatërrimit në masë. Këshilli i Sigurimit e ka vënë Sadam Huseinin dhe regjimin e tij, përballë një prove të së vërtetës. Në se përgjigjen me gënjeshtra të tjera, ata nuk do t’u shpëtojnë dot pasojave.”

XS
SM
MD
LG