Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se mund të duhen disa javë për për të analizuar deklaratën e Irakut mbi programet e tij të armëve, që Bagdadi thotë se do të dorëzojë të shtunën, më 7 dhjetor.
Sipas njoftimeve nga kryeqyteti irakian, dokumenti mund të jetë nga 5 mijë deri në 13 mijë faqe i gjatë. Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara do t’u duhet ta krahasojnë dokumentin me informacionin që ndodhet në bazën e tyre të të dhënave dhe që kap 1 milion faqe. Ekspertëve mund t’u duhet gjithashtu kohë për përkthim nëse dokumenti do të jetë në arabisht.
Iraku do ta dorëzojë dokumentin një ditë përpara afatit të vendosur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Kopje të deklaratës irakiane do t’u jepen vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilët do të analizojnë vetë informacionin.
Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara kanë informacione zbulimi, që vërtetojnë se Iraku zotëron armë të ndaluara të shkatërrimit në masë. Bagdadi në mënyrë të përsëritur mohon se ka armë të tilla. //ad//