Lidhje

Shpërthim në Kosovë, në prag të vizitës së delegacionit të Këshillit të Sigurimit - 2002-12-14


Policia e Kombeve të Bashkuara ende nuk ka dhënë ndonjë informacion më të plotë lidhur me shpërthimin që ndodhi të premten në mbrëmje në qendër të Prishtinës, nga i cili u plagosën të paktën 30 persona.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara tha se bëhej fjalë për një makinë-bombë, që shpërtheu në një zonë me shumë klube nate.

Pjesa më e madhe e të plagosurve tashmë thuhet të kenë dalë nga qendra spitalore e Prishtinës, ndërsa ata që janë në gjendje të rëndë vazhdojnë të kurohen në këtë qendër.

Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore e kanë cilësuar shpërthimin si akt terrorist i cili dëmton qëndrueshmërinë në Kosovë.

Shpërthimi ndodhi në prag të vizitës së një delegacioni të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mbërriti të shtunën për një vizitë tri ditëshe në Kosovë.

15 ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, sipas njoftimeve të UNMIK-ut do të zhvillojnë bisedime me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.

Delegacioni po ashtu do të vizitojë edhe Mitrovicën dhe shkollën e shërbimit policior të Kosovës në Vushtri, si edhe disa zona të tjera për t’u njohur më nga afër me zhvillimet aktuale.//kk//

XS
SM
MD
LG