Krimi i organizuar është një problem shumë serioz në Shqipëri dhe strukturat evropiane kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë nga autoritetet shqiptare për ta luftuar këtë dukuri. Këtë qëndrim e shprehu të enjten në Washington, Chris Patten, komisioner i marrëdhënieve me jashtë të Bashkimit Evropian.
Zoti Patten ka folur shpesh kohët e fundit për krimin e organizuar në Ballkan dhe sa e rëndë është gjendja në këtë drejtim në rajon. Në një konferencë për këtë çështje që u mbajt muajin e fundit në Londër ai tha se e sheh këtë fenomen si një problem shoqëror, politik dhe ekonomik. Të enjten ai shpjegoi se sa serioze është gjendja në Shqipëri.
”Duhet të them se situata në drejtim të krimit të organizuar dhe korrupsionit është e rëndë në gjithë Ballkanin, dhe veçanërisht në Shqipëri”, tha zoti Patten.
Dhe për të theksuar më shumë se sa e rëndë është gjendja, ai shtoi:
”Nëse doni të konfirmoni se sa serioz është problemi i krimit të organizuar në Shqipëri, pyesni FBI-në, ose çdo organizatë tjetër policore në gjithë botën. Krimi i organizuar është një problem serioz dhe ne kemi nevojë për bashkëpunim serioz nga autoritetet shqiptare për ta përballuar atë”.
Zoti Patten i cili në fillim të këtij muaji vizitoi Shqipërinë tha se Kryeministri, Ministri i jashtëm dhe Ministri i Shtetit për Integrim e siguruan se autoritetet shqiptare do të punojnë me strukturat evropiane për të luftuar këtë dukuri, korrupsionin, si edhe për të ndërtuar aftësitë institucionale.
Ai shtoi se kjo do të ishte e nevojshme që Shqipërisë t’i pranohet kërkesa për të vazhduar procesin e asociim-stabilizimit. Përsa i takon këtij procesi, në se qeveria shqiptare mendon se ka kaluar provën më të vështirë në procesin e negociatave për marrëveshjen e asociim-stabilizimit, komentet e zotit Patten lënë të kuptohet se faza më e vështirë nuk ka ardhur ende. Ai tha se Shqipëria nuk është në fund të këtij procesi, por në prag të fillimit të negociatave. Ai theksoi se Shqipërisë po i jepet një mundësi:
“Ne po i fillojmë negociatat me sinqeritet, po i japim një shans Shqipërisë që të tregojë në se ishte koha e duhur për fillimin e negociatave.”
Pra mesa duket, fillimi i negociatave në shkurt të vitit të ardhshëm, është më shumë një shans që i jepet Shqipërisë sesa një shpërblim për arritjet e deritanishme. Ecuria e procesit të negociatave, do të varet nga fakti sesa përpjekje do të bëjë Shqipëria për të përfituar nga ky shans që i jepet.
Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian bën të qartë se ritmi i negociatave dhe sa kohë do të zgjasin ato është krejtësisht në duart e Shqipërisë.
”Do të varet nga fakti se sa me shpejtësi Shqipëria do të realizojë ndryshimet e kërkuara. Jo thjesht të thuhet që do të ndryshohen ligjet, por që do të vihen në jetë ndryshimet e bëra në legjislacion”, tha zoti Patten.
Zoti Patten theksoi se ky është një proces serioz, që nuk ka të bëjë me rregullime politike, por për të rënë dakord për të arritur një kontratë me Bashkimin Evropian.
Komisioneri evropian i bëri komentet e tij në një takim në Fakultetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Univeristetit John Hopkins, ku foli mbi marrëdhëniet e Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara. Ai pati dje një takim me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Colin Powell. //kk//