Lidhje

Kadare: Fitorja më e rëndesishme për shqiptarët-hapja e horizontit drejt Evropës - 2002-12-23

update

Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, shkrimtari Ismail Kadare tha se ky dhjetëvjeçar ka patur mjaft densitet në jetën shqiptare. Fitorja me e rëndësishme ka qene hapja e një horizonti drejt Evropës, pas ngjarjes kryesore të fitores se lirisë nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Familja evropiane, tha shkrimtari Kadare, siguron ekzistencën e mëtejshme të shqiptarëve, pra që Shqipëria të fitojë Evropën e humbur. Kjo ka të bëjë me prijen natyrale drejt zhvillimit, që është shume rëndësishme për një popull.

Në lidhje me marrëveshjen midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri dhe kritikave për rrezikin e zhdukjes së opozitës, zoti Kadare u shpreh se nuk është i mendimit se zbutja e luftës midis pozitës me opozitës ka ndikuar negativisht tek fryma opozitare. ”Mendoj, -tha Kadare, -se është shmangur një nervozizëm i tepruar që ekzistonte, që nuk po e linte vendin të ecte përpara. Opozita, -shtoi ai,- vazhdon të jetë e qartë, nuk shoh asnjë rrezik për ftohjen e luftës demokratike, opozitës dhe pluralizmit.

Në lidhje me çështjen e ndryshimit të flamurit kombëtar në Kosovë në rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kadare u shpreh se shenjat kombëtare janë parashtetërore dhe parapolitike, por ato nuk duhet të bëhen pengesë për zhvillimin.

Kadare foli edhe një tjetër aspekt të unitetit të kombit, që është gjuha shqipe. Shqipja, tha Kadare, është një nga gjuhët më të njëjtësuara të botës. Gjuhët nuk krijohen nga shkrirja e dialekteve tha ai, por nga zgjedhja e një dialekti. Kadare tha se regjimi komunist ka dashur të ketë një diskriminim për shqipen e veriut, por kjo nuk mund të luante një rol tek një gjuhë e zhvilluar siç është ajo shqipe.

Pyetjes se sa aktiv mund të ketë qenë terrorizmi në Shqipëri, Kadare iu pergjigj se nuk mund të thuhet qe Shqipëria nuk ka terrorizëm, për arsye se atje ka patur gjithmonë terren për këtë fenomen. Fondacione të huaja në Shqipëri, Maqedoni, apo Kosovë kanë dashur të sjellin një ideologji tjetër, në këto vende atë të radikalizmit të fesë. Udhëheqësit në Shqipëri dhe Maqedoni e kanë shpërfilluar këtë fakt, tha Kadare. Shqipëria, shtoi ai, duke qënë një vend me tri fe, nuk mund të përjashtohet nga radikalizmi i çdonjërës prejt tyre.

XS
SM
MD
LG