Lidhje

Qeveria amerikane dhe zyra e senatorit Bob Dole dënojnë vrasjet e fundit në Kosovë - 2003-01-06


Qeveria amerikane dhe zyra e senatorit Bob Dole, dënuan me forcë vrasjet e fundit në Kosovë. Zyra amerikane në Prishtinë lëshoi të hënën një deklaratë ku thekson se mbetet për t’u parë në se vrasjet kanë motive politike dhe në se kanë të bëjnë me daljen e zotit Zemaj si dëshmitar gjatë një procesi gjyqësor në Kosovë.

Tahir Zemaj, djali i tij Enisi dhe nipi i tij Hasani u vranë të shtunën në Pejë nga persona të panjohur.

Zyra amerikane thekson se raste të tilla tregojnë se disa njerëz ende e shohin dhunën dhe frikësimin si një rrugë të ligjshme në Kosovën e pasluftës. Qeveria amerikane, thuhet më tej në njoftimin e misionit diplomatik, i bën thirrje atyre qe kanë ndonjë informacion mbi këto vrasje të njoftojnë autoritetet. Ata që kryejnë dhunë, thuhet më tej në komunikatën e zyrës amerikane në Prishtinë, janë armiq të demokracisë, armiq të Kosovës dhe armiq të Shteteve te Bashkuara.

Ish senatori Bob Dole lëshoi të hënën një deklaratë ku thekson se këto vrasje janë një krim i ulët që prek jo vetëm familjen Zemaj por edhe gjithë popullin e Kosoves. Ata që kryen vrasjen, thotë senatori Dole, duket se kujdesen më shumë për pushtetin e tyre dhe për qëllimet e tyre politike se sa për të ardhmen e Kosoves dhe të popullit të saj. Senatori Dole i bën thirrje adminsitratës së UNMIK-ut që të ndriçojë sa më shpejt këtë rast dhe t’i nxjerrë personat përgjegjës para drejtësisë. Vrasjet e së shtunës, thotë senatori Dole, janë të fundit të një sërë të tillave me motive politike, që UNMIK-u nuk ka arritur t’i ndriçojë megjithësë faktet nuk kanë munguar. Vrasësit, thekson më tej senatori Dole, synojnë ta tërheqin Kosovën në nivelin e tyre të mafias, por nuk do të kenë sukses. Kosova e ka hedhur poshtë anarkinë, korrupsionin dhe marrjen e pushtetit me dhunë, duke hyrë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG