Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara nuk ka ndonjë synim që të pushtojnë Korenë e Veriut, por ai shtoi se pret që Feniani të mbajë fjalën për të mos zhvilluar programe bërthamore.
Presidenti tha dje se mosmarrëveshja lidhur me hapat e Koresë së Veriut për të ripërtërirë programin e saj të armëve bërthamore duhet zgjidhur në mënyrë diplomatike dhe paqësore.
Zoti Bush i bëri këto komente pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e paralajmëroi Fenianin se ka një shans të fundit që të pranojë përsëri isnpektorët ndërkombëtarë dhe të rivendosë kamerat përgjuese në qendrat e tij të armëve bërthamore.
Përndryshe, thanë zyrtarët e kësaj agjencie, kjo çështje do ti kalohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bordi administrativ prej 35 anëtarësh i kësaj agjencie miratoi dje njëzëri në Vienë një rezolutë, në të cilën dënohen veprimet e njënashme të Fenianit për të ndaluar misionin e saj.
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështjet e mospërhapjes së armëve, John Wolf, tha se Shtetet e Bashkuara përshëndesin rezolutën e miratuar në Vjenë. Ai i cilësoi veprimet e Koresë së Veriut si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.
Këshilltarja amerikane e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice dhe homologu u saj koreano-jugor, Yim Sung-joon, do të takohen sot në Washington për të diskutuar mbi gjendjen në Korenë e Veriut. //ze//