Lidhje

Ramush Haradinaj: Vrasja e Zemajt synon prishjen e imazhit të Kosovës - 2003-01-07


Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj hodhi poshtë spekullimet se vrasja e ish-eprorit të UÇK-së, Tahir Zemaj, kishte lidhje me dëshminë që ai kishte dhënë në gjyqin e vëllait të tij, Daut Haradinaj.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Haradinaj theksoi të martën se deklarata e zotit Zemaj ishte në mbrojtje të Daut Haradinajt dhe ishte konsideruar si mesazh afrimi.

Fjala është për procesin ndaj Daut Haradinajt, ish komandant i lartë i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Zoti Haradinaj e dënoi vrasjen dhe theksoi se kjo ngjarje po prish imazhin e Kosovës dhe e quajti atë një prirje për përçarjen e faktorit politik atje.

Zoti Haradinaj akuzoi shërbimet sekrete që ishin në Kosovë gjatë luftës, apo që kanë hyrë aty pas saj për vrasjen dhe tha se ajo ishte bërë për të krijuar konflikt atje. Ai shtoi se ata ”që na kanë goditur gjatë luftës po bëjnë përpjekje të na godasin përsëri”, duke përmendur forcat e Millosheviçit.

Ai shprehu bindjen që njerëzit e Kosovës nuk do ta bënin kurrë një gjë të tillë që do të prishte imazhin e saj.

Zoti Haradinaj tha se ka gjatë kësaj periudhe janë vrarë disa luftëtarë të lirisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që nëse dinë diçka për, dhe sidomos për vrasjen e fundit të dëshmojnë dhe të bashkëpunojnë me policinë dhe institucionet.//kk//

XS
SM
MD
LG