Lidhje

Harnish: Standartet nuk pengojnë diskutimin e statusit, por janë plani i punës për transformimin e Kosovës - 2003-01-11


Standartet e vendosura nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë nuk kanë për synim të pengojnë diskutimin e statusit të ardhshëm, por janë kushtet për krijimin dhe funksionimin e një shoqërie të suksesshme, thekson shefi i misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Reno Harnish, në një diskutim zhvilluar më 10 janar në Institutin amerikan të Paqes.

“Këto standarte nuk kanë për synim të shërbejnë si pengesa ndaj diskutimit të statusit përfundimtar, por janë kërkesa që do ta shndërrojnë Kosovën në pjesë të Evropës moderne. Këto standarte kërkojnë një shoqëri shumë-etnike, një ekonomi tregu funksionale, reforma të trupave mbrojtëse të Kosovës, pra elementë që krijojnë planin e punës për të transformuar Kosovën,” thotë zoti Harnish.

Njerëzit, vazhdon shefi i misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, mund dhe duhet të veprojnë edhe pa shpalljen e pavarësisë në mënyrë që të zhvillojnë tipare si përgjegjshmëria, respekti për ligjin dhe të vazhdojë ndërtimi i komuniteteve.

Shefi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë thekson se pikësynimi kryesor i punës së këtij misioni është arritja e standarteve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar. Në këtë këndvështrim, thotë zoti Harnish, procesi i kalimit të kompetencave merr një rëndësi të veçantë për t’i dhënë popullit të Kosovës mundësinë të përmbushë standartet që priten prej tij:

“Unë vendosa se tematika e punës së misionit amerikan në Kosovë do të ishte: “Ky është viti i vet-qeverisjes”. Me këtë nënkuptohet që të vazhdojë kalimi i përgjegjësive nga duart në UNMIK-ut në duart e institucioneve vet-qeverisëse. Ky është një proces i përditshëm. Është e nevojshme që autoritetet ndërkombëtare të ndryshojnë qëndrim dhe ta kuptojnë se ne jemi atje me qëllim që t’i shërbejmë krijimit të një klase qeverisëse në Kosovë,” thotë zoti Harnish.

Por zoti Harnish pohon se një ndër pasojat e mos-trajtimit të çështjes së statusit të ardhshëm është mungesa e garancive sovrane, gjë që e bën të pamundur për një numër të konsiderueshëm institucionesh financiare të angazhohen me investime. Një tjetër problem që pengon zhvillimin ekonomik është edhe niveli i kufizuar i veprimtarisë tregëtare në shkallë rajonale. Procesi i Bashkimit Evropian për Stabilizim, vazhdon zoti Harnish, u ka hapur rrugën marrëveshjeve rajonale në Ballkan për liberalizimin e tregëtisë dhe harmonizimin e veprimtarisë ekonomike, por Kosova nuk është përfshirë në këto diskutime.

Shefi i Misionit Amerikan në Kosovë thekson se ky është një proces në zhvillim dhe se pret që viti i ri të sjellë realizimin e një numër objektivash. Ai shpreson që në 2003-shin, shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner do të sqarojë më në hollësi secilin nga standartet, dhe t’u japë atyre një përkufizim funksional, në mënyrë që të hapet një dialog pune për përmbushjen e tyre.

XS
SM
MD
LG