Lidhje

SHBA dëshiron të gjej një zgjidhje paqësore për çështjen e Irakut - 2003-01-15


Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të gjejnë një zgjidhje paqësore për çështjen e Irakut. Për këtë arsye shtatorin e kaluar ato propozuan para Kombeve të Bashkuara një rezolutë e cila kërkonte kthimin në Irak të inspektorëve të armëve. Fillimisht inspektorët u dërguan në Irak si kusht për përfundimin e luftës së gjirit Persik të vitit 1991. Por në vitin 1998, mbas katër vjet mashtrimesh dhe pengesash, Iraku ndaloi çdo lloj bashkëpunimi me inspektorët, duke e bërë praktikisht të pamundur misionin e tyre për të verifikuar çarmatimin e Irakut. Mbas pothuajse katër vjet mungese të pranisë së inspektorëve të armëve, Kombet e Bashkuara miratuan njëzëri rezolutën 14-41 e cila u jep inspektorëve autoritet më të gjerë.

Siç ka thënë sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, ”nëse thjesht do të donim një luftë kundër Irakut apo nuk do të përfillnim mendimet e të tjerëve ose rezultatet e mundshme të punës së inspektorëve, atëhere ne nuk do t’i hynim këtij telashi. Por ne po përpiqemi që ta shmangim luftën dhe të gjejmë një zgjidhje paqësore.”

Por për arritjen e një zgjidhje paqësore regjimi irakian i Sadam Huseinit duhet të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët e armëve të Komisionit të Vëzhgimit, Verifikimit dhe Inspektimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Iraku duhet tu japë atyre të dhëna të plota mbi të gjitha programet e armëve kimike, biologjike dhe bërthamore që ka patur për vite me radhë. Iraku duhet ta bëjë këtë pa u përpjekur të mashtrojë. Kombet e Bashkuara e kanë bërë të qartë: Iraku duhet t’i përmbushë këto detyrime, përndryshe do të përballet me pasoja.

Shtetet e Bashkuara po punojnë nga afër me inspektorët e armëve dhe u kanë siguruar atyre të dhëna dhe mbështetje logjistike dhe teknike. Sekretari amerikan i shtetit Powell ka thënë ”se ne duam që inspektorët të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre dhe po përpiqemi t’i ndihmojmë ata me të gjitha mënyrat e mundshme.”

Deklarata që Iraku dorëzoi muajin e kaluar ishte e mangët. Të dhënat në të nuk ishin as të plota e as të sakta. Deklarata e Irakut, tha zoti Powell, ishte padyshim një tregues se Sadam huseini nuk po bashkëpunon plotësisht.”

Siç ka thënë edhe presidenti Bush, ”Diktatori irakian as që nuk u përpoq që të paraqiste një dokument të besueshëm. Ai nuk e përfill fare opinionin e njerëzimit. Sadam Huseinit, tha presidenti Bush, iu tregua rruga e paqes. Deri më tani ai ka zgjedhur atë të mospërfilljes.”

//rd//

XS
SM
MD
LG