Lidhje

Gjermania mbështet deklaratën e Turqisë ku i bëhet thirrje Bagdatit të bashkëpunojë - 2003-01-24


Gjermania njoftoi se mbështet një deklaratë të Turqisë dhe të vendeve të tjera fqinje të Irakut, në të cilën i bëhet thirrje Bagdadit të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët.

Ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, u tha gazetarëve sot në Stamboll se Iraku duhet ta kuptojë sesa serioze është gjendja.

Zoti Fischer ndodhet në Turqi në kuadër të përpjekjeve gjermane për të parandaluar luftën në Irak. Dje, qeveria e tij u bashkua me Francën dhe Rusiën në qendrimin kundër një lufte të mundshme të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në këtë periudhë, duke thënë se ende ekzistojnë mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje paqesore.

Po dje, ministrat e Jashtëm nga gjashtë vende të Lindjes së Mesme, të cilët u takuan në Stamboll, i bënë thirrje Irakut të parandalojë luftën duke vepruar në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara për çarmatim. Në deklaratë theksohet edhe nevoja që çdo veprim ushtarak kundër Irakut, të miratohet nga Këshilli i Sigurimnit.

Kryeministri turk, Abdullah Gul, tha se u takon udhëheqësve irakianë të japin ndihmesën më të madhe për parandalimin e luftës.

Megjithë qendrimet e disa vendeve, përfshirë disa qeveri perëndimore, Sekretari amerikan e shtetit, Colin Powell, tha se është i bindur se shumë vende do të marrin pjesë në operacionet ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për çarmatimin e udhëheqësit irakian, Sadam Husein.

//rd//

XS
SM
MD
LG