Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, regjimi irakian i Sadam Huseinit paraqet “një rrezik serioz për paqen dhe sigurimin ndërkombëtar.” Kjo është bërë gjithnjë e më e qartë pasi regjimi i Bagdatit vazhdon të shkelë besimin e Kombeve të Bashkuara, popullit irakian dhe të fqinjëve të Irakut.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e kishte të qartë këtë realitet dhe miratoi njëzëri Rezolutën 14-41. Kjo rezolutë i jep Irakut një shans të fundit për t’u çarmatosur në mënyrë paqësore pas 11 vjet mosbindjeje. Rezoluta e kalon përgjegjësinë drejtpërdrejtë mbi Irakun për të paraqitur të dhëna të sakta dhe të plota mbi programin e tij të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore si edhe raketat me rreze të gjatë veprimi. Por Iraku nuk u ka treguar inspektorëve të Kombeve të Bashkuara ku gjenden armët e tij të shkatërrimit në masë.
Inspektimet e mëparshme kanë treguar se Iraku kishte mijëra litra antraks dhe botulinum. Ku janë provat se këto helme vdekjeprurëse janë shkatërruar? Ku përfunduan afro 30 mijë armatimet e përshtatshme për të transportuar agjentë kimikë? Inspektorët dinë vetëm fatin e 16 prej tyre. Çfarë fati kanë pasur ato tre ton material që mund të përdoret për prodhimin e agjentëve biologjikë? Përse Iraku vazhdon përpjekjet për të siguruar uranium si dhe pajisjen e posaçme që nevojitet për ta transformuar atë në material për armë bërthamore?
“Këto nuk janë pyetje akademike .... apo kuriozitete,” tha Sekretari i Shtetit Colin Powell. “Këto janë pyetje për jetë dhe vdekje dhe duhet të marrin përgjigje.”
Sadam Husein “duhet të tregojë të vërtetën... tani,” tha zoti Powell. “Sa më shumë presim, aq më shumë rriten shanset e këtij diktatori me lidhje të qarta me grupet terroriste si al-Qaida ... t’u japë të tjerëve armë, të kalojë teknologji ose t’i përdorë këto armë përsëri.” Zoti Powell tha se lidhjet ndërmjet tiranëve dhe terrorit, dhe ndërmjet terroristëve e armëve të shkatërrimit në masë, janë “rreziku më i madh në epokën tonë.”
Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tremben luftës nëse kjo është e vetmja rrugë për të eliminuar armët irakiane të shkatërrimit në masë. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Iraku do të çarmatoset në mënyrë paqësore. Por siç ka thënë presidenti Bush, “Ne nuk mund ta mbrojmë Amerikën dhe miqtë tanë duke shpresuar për skenarin më të mirë. Historia do t’i gjykojë ashpër ata që panë rrezikun që afrohej, por nuk vepruan.” //ad//