Lidhje

Kalendari Historik 7 shkurt - 2003-02-05


Më 7 shkurt të vitit 1964, grupi britanik i rock and rollit, The Beatles, mbërriti në aeroportin Kennedy të Nju Jorkut, për të filluar turneun e parë të koncerteve të tij në Shtetet e Bashkuara. U deshën qindra policë për të mbajtur nën kontroll turmën e përbërë nga rreth 3 mijë admirues të papërmbajtur, shumica vajza të reja, në aeroportin e Nju Jorkut. Grupi Beatles, i përbërë nga John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr, u çua nën masa të rrepta sigurimi së pari në një hotel në Manhattan dhe më vonë për të bërë prova për shfaqje në programin popullor javor televiziv, që drejtohej nga Ed Sullivan. Ata dhanë shfaqje në programin televiziv të Ed Sullivanit, mbrëmjen e së dielës, më 9 shkurt.

“Dje dhe sot salla jonë e shfaqjeve ka qenë e mbushur plot me gazetarë e qindra fotografë nga i gjithë vendi dhe të gjithë ata janë të një mendimi me mua se qyteti ynë kurrë nuk ka përjetuar emocione kaq të fuqishme sa gjatë shfaqjes së këtyre të rinjve nga Livërpulli, që e quajnë veten The Beatles. Dhe tani zonja e zotërinj, grupi The Beatles,” tha prezantuesi Ed Sullivan.

Gjatë turneut të tij të parë në Shtetet e Bashkuara, Beatles-at dhanë shfaqje në Nju Jork, Uashington dhe Miami Beach. Grupi u kthye në Angli më 17 shkurt 1964.

Sinclair Lewis, shkrimtari që u përpoq të pasqyrojë jetën e shoqërisë amerikane, lindi në Great Plains të shtetit Minnesota, më 7 shkurt 1885. Emri i tij i vërtetë ishte Harry Sinclair Lewis. Pasi përfundoi universitetin Yale ai punoi si gazetar dhe shkroi 5 romane të cilët nuk tërhoqën vëmendjen e lexuesve. Megjithatë dy romane të tjera, Main Steet (Rruga Kryesore), botuar më 1920 dhe Babbit, botuar më 1922 e bënë atë të njohur në gjithë vendin. Ngjarjet e të dy romaneve shtjelloheshin në qytete të vogla dhe jepnin portrete intime të sjelljes së shoqërisë amerikane. Lewis kritikonte në këto romane theksin që, sipas tij, shoqëria amerikane vinte në përpjekjet për të bërë sa më shumë para dhe maninë për të zotëruar gjëra materiale në dëm të vlerave intelektuale apo shpirtërore. Lewis është gjithashtu i njohur edhe për romanet Arrowsmith, që pasqyron zhgënjimet e një doktori idealist, Elmer Gantry, që satirizon hipokrizinë dhe fanatizmin fetar dhe Dodsworth, që krahason jetën amerikane me atë evropiane, nëpërmjet historisë së një afaristi amerikan që udhëton nëpër disa vende. Më 1930 Sinclair Lewis u bë i pari amerikan që nderohej me Çmimin Nobel për Letërsinë. Lewis vdiq në vitin 1951. //ad//

XS
SM
MD
LG