Lidhje

Rexhepi: Nuk është koha për deklaratë në parlament mbi pavarësinë. - 2003-02-07


Kryeministri i Kosoves Bajram Rexhepi, i cili dje mori pjesë në lutjen e mëngjesit në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se vëmendja këtë vit duhet të përqëndrohet në konsolidimin e institucioneve dhe në arritjen e përparimeve në të gjitha fushat.

EB: A mund të fillojmë zoti Kryeministër me reagimin tuaj ndaj nismës së një grupi të deputetëve në Parlamentin e Kosovës. A është koha që Parlamenti të merret me këtë çështje?

BR: Edhe unë i ndaj shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe në një mënyrë dua t’i përcjell edhe shqetësimet e miqëve tanë amerikanë si në Departamentin e Shtetit ashtu edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të cilët janë mjaft të shqetësuar me këtë nismë. Në kohën kur vëmendja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përqëndruar drejt krizës në Irak dhe Korenë e Veriut, dhe në kohën kur zoti Gjingjiq ka dalë me disa deklarata ose kërkesa të cilat janë konsideruar si mjaft negative nga ana e Departamentit të Shtetit dhe Këshillit për Siguri Kombëtare, të hyjë një iniciativë e tillë në Parlament mendoj se është kohë e papërshtatshme dhe sigurisht që atëherë edhe ne ulemi, në një ekuivalencë me ato që ka kërkuar zoti Gjingjiq. Pra, mendoj që në këtë moment pjekuria jonë politike duhet të jetë në nivel për arsye se nuk është koha për këtë deklaratë dhe duhet të presim një moment shumë më të volitshëm. Mendoj se vëmendja jonë këtë vit duhet të përqëndrohet në konsolidimin e institucioneve tona dhe në arritjen e përparimeve në të gjitha fushat dhe pastaj të shohim në vitin 2004, 2005.

EB: Zoti kryeministër, këto ditë ju keni zhvilluar një seri takimesh me zyrtarë të Departamentit të Shtetit këtu në Washington. Përveç çështjes që sapo e diskutuam, cilat ishin disa nga çështjet që u diskutuan në këto takime dhe a keni mbështetjen e palës amerikane për çështjet që ju shqetësojnë ju më së shumti?

BR: U diskutua rreth shumë çështjeve të tjera, siç është çështja e transferimit të kompetencave, që do të jetë një proces, dhe shpresojmë se gjatë vitit 2003 shumica e tyre do të transferohen me aq sa ne do të jemi të gatshëm t’i marrim kompetencat. Po ashtu u diskutua për një përparim drejt standardeve, edhe pse edhe zyrtarët amerikanë u pajtuan që duhet të flasim sa më pak për standarde por të veprojmë në mënyrë aktive dhe në kohën e duhur atëherë mund të fillojë edhe çështja e definimit të statusit të Kosovës. Po ashtu u shprehën shqetësime edhe rreth disa incidenteve sporadike që kanë ngjarë në Kosovë, pastaj paralajmërimeve se aty këtu dalin persona të maskuar ose ndaj sulmit në stacionin policor (në Pejë). Ishin këto shqetësime të miqve tanë amerikanë. U bisedua edhe çështja e kthimit, ku ne i prezentuam pengesat reale që janë prezente jo vetëm te kosovarët por në rend të parë edhe nga pala serbe, të cilët me mesazhe të ngjashme që i ka dhënë zoti Gjingjiq për kthimin e ushtrisë dhe policisë që është një mesazh shumë i keq, i dekurajojnë serbët të mos integrohen por përkundrazi të kenë qëndrim refuzues. Të gjitha këto shqetësime tonat ne i paraqitëm dhe theksuam se ne do të përmbushim pjesën tonë të obligimeve në këtë drejtim. Edhe një herë dua të potencoj se kryesisht vëmendja e miqve amerikanë dhe e ndërkombëtarëve të tjerë është në progresin drejt integrimit të minoriteteve.

EB: Zoti Kryeministër, dje administratori Michael Steiner ishte në New York ku paraqiti një raport në Këshillin e Sigurimit dhe ku mbajti qendrim mjaft kritik ndaj udhëheqësve të Kosovës. Sipas tij, udhëheqësit e Kosovës, nuk po bëjnë aq sa duhet për zgjidhjen e problemeve madhore shoqërore dhe ekonomike. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

BR: Mendoj se ka vend ndoshta të kritikohemi në atë aspekt sepse duhet një angazhim më i madh i të gjithë neve, mirëpo nuk qëndrojnë kritikat vetëm në atë drejtim që faji është vetëm te vendorët, për arsye se faji është edhe te ndërkombëtarët, pasi shumica e fushave ku bëhen kritikat janë e drejtë e rezervuar dhe ende nuk është bërë transferimi i kompetencave. Ne jemi shumë të gatshëm të marrim më tepër kompetenca sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik, privatizimit dhe çështjeve të tjera, dhe atëherë mund të kërkohet një përgjegjësi më e madhe. Pra, këto janë procese të ardhshme afatshkurta të cilat janë planifikuar për në vitin 2003 në mënyrë që bashkërisht me UNMIK-un të jemi më aktivë dhe më efikasë në obligimet që dalin para nesh.

EB: Por ju nuk mendoni se po shkohet drejt një acarimi midis palës shqiptare dhe administratës ndërkombëtare në Kosovë?

BR: Jo, kishte disa tensionime diku në periudhën para vitit të ri, që janë edhe të kuptueshme për arsye se ne kërkojmë që të kemi më tepër kompetenca që të dëshmojmë për punën tonë dhe në situatën që ishim, që në shumicën e rasteve ne ishim më shumë në cilësinë e një vrojtuesi se sa të një pjesmarrësi aktiv në proces, ka pasur vend edhe të kritikohemi. Mirëpo, që të ketë vend kritika, duhet së pari të kemi edhe kompetenca. Pra është një ndërlidhshmëri e këtyre proceseve.

EB: Kohët e fundit duket se në marrëdhëniet midis tre partive kryesore politike që janë në parlament, LDK-ja, PDK-ja dhe Aleanca, ka pasur një ashpërsim. Si ndikon kjo në funksionimin e qeverisë, në funksionimin e Parlamentit?

BR: Jo, nuk do të thoja që ka pasur ashpërsim. Përkundrazi, shihet një bashkëpunim shumë më i ngushtë në Parlament. Një klimë të tillë ne dëshirojmë ta përcjellim edhe në Qeveri. Ndodh që disa ministra nganjëherë marrin nuanca partiake më tepër dhe unë jam idhtar i parimit që në qeveri të ketë sa më pak ndikim politik që ne të orientohemi në detyrat tona prioritare dhe në atë mënyrë të jemi shumë më efikasë, pra të koncentrohemi në konsolidimin e qeverisë dhe përballë obligimeve që dalin përpara nesh, për arsye se pa një përqëndrim të mirëfilltë në detyrat prioritare të qeverisë, ndikimet politike mund të na shkaktojnë probleme.

EB: Zoti Kryeministër edhe një pyetje lidhur me kryeministrin serb Gjingjiq. Siç duket, kohët e fundit, ai ka filluar të merret shumë me çështjen e Kosovës. Megjithëse, kërkesat e tij nuk janë pranuar nga komuniteti ndërkombëtar, duket se ai ka një strategji për Kosovën. Po pala shqiptare ka një strategji të qartë dhe a ekziston konsensusi politik në Kosovë për realizimin e pavarësisë?

BR: Zoti Gjingjiq ka filluar të merret me Kosovën kohët e fundit. Deri vonë ata kanë pasur të them ashtu një libero, zotin Çoviq, pra zoti Gjingjiq dhe zoti Koshtunica nuk janë marrë me problemin e Kosovës. Mirëpo tani këtë e bëjnë edhe për çështje personale, për arsye se rejtingu i zotit Gjingjiq ka rënë mjaft. Mendohet se jashtë koalicionit DOS ai ka ndoshta vetëm 8 përqind mbështetje. Pra, zakonisht kur duan të rrisin numrin e votuesve atëherë luajnë me letrën e Kosovës, me një nacionalizëm. Mirëpo, ai ka edhe planin e tij strategjik. Ai (Gjingjiq) nuk është i interesuar për një zgjidhje të them të çfarëdo raporti që të qëndrojë Kosova, ai ka për qëllim ndarjen e Kosovës, ai është qëllimi final që e ka shprehur edhe mjaft haptas. Kosovës kjo nuk i konvenon. Për fat të keq ne nuk kemi një platformë të përbashkët se si do të zhvillohen këto procese. Mendoj se gjatë vitit 2003 ne, të gjitha subjekete politike dhe institucionet, duhet të përgatitemi, të përgatisim një platformë të përbashkët e cila do ta ketë edhe afatizimin se në çfarë kohe çka duhet të ndërmarrim dhe bashkarisht të arrijmë qëllimin tonë që është pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG