Lidhje

Perspektivat e shtetit të ri Serbia dhe Mali i Zi - 2003-02-11


Shteti i ri Sërbia dhe Mali i Zi u formua vetëm para pak ditësh, por me që zgjedhjet e së dielës në Mal të Zi, u shpallën të pavlefshme, asnjera prej dy ish republikave jugosllave nuk ka një president të zgjedhur.

Analisti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer, thotë se dështimi i zgjedhjeve në Mal të Zi është një zhvillim negativ, por jo me pasoja shkatërrimtare. Në zgjedhjet e përsëritura të së dielës në Mal të Zi, dhe dy zgjedhjet e dështuara në Sërbi, pjesëmarrja ishte më e ulët se 50 përqindëshi i domosdoshëm në mënyrë që zgjedhjet të shpalleshin të vlefshme. Institucionet qeveritare në të dyja republikat, thotë zoti Serwer, janë ndoshta mjaft të forta që të përballojnë një farë mungese të përkohshme qendrueshmërie politike.

Bashkimi i dy ish republikave jugosllave nuk është popullor as në Sërbi dhe as në Mal të Zi. Një gjë e tillë iu imponua politikanëve ngurues në Beograd dhe në Potgoricë nga Bashkimi Evropian, i cili kërkon që t’i mbajë së bashku Sërbinë dhe Malin e Zi.

“Sërbia dhe Mali i Zi, thotë zoti Serwer, janë si një çift që nuk ka jetuar bashkë për 3 vjet dhe do të përpiqet të ripajtohet. Asnjera prej tyre nuk është e kënaqur me kushtet e bashkimit, por ato duhet të përpiqen të pajtohen dhe mendoj se do ta bëjnë një gjë të tillë.”

Presidenti i shtetit të ri, post ky kryesisht ceremonial, do të zgjidhet nga parlamenti i ri.

Formimi i shtetit Sërbia dhe Mali i Zi e ka lënë pa punë presidentin jugosllav, Vojisllav Koshtunica. Analisti Serwer, i cili sapo është kthyer nga Beogradi, thotë se zoti Koshtunica mund të jetë në rrezik të humbasë popullaritetin mes elektoratit të tij. Nga formimi i shtetit të ri, shton zoti Serwe, përfiton rivali politik i zotit Koshtunica, kryeministri sërb, Zoran Xhinxhiç.

“Zoti Xhinxhiç, thekson analisti Serwer, ka fituar një betejë të madhe. Deri tani, zbatimi i reformave kishte ngecur kryesisht për shkak të luftës për pushtet mes Vojisllav Koshtunicës dhe Zioran Xhinxhiçit. Tani Zoran Xhginxhiçi është plotësisht përgjegjës për zbatimin e reformave. Nuk ekziston më faktori pengues i grindjeve shkatërrimtare.”

Zoti Serwer thotë se nevoja më urgjente është zbatimi i reformave në shërbimet e sigurimit dhe në sistemin ligjor. Ai shton se pritet që tani reformat të zbatohen me një ritëm të shpejtë.//xh//

XS
SM
MD
LG