Lidhje

Intervistë  me James Hooper, i Grupit të Politikave dhe Ligjit Publik Ndërkombëtar - 2003-02-11


A.XH: Ndërkohë që lufta me Irakun po bëhet gjithnjë e më e mundshme, a keni vënë re ndonjë ndryshim në qëndrimin amerikan dhe si mund të ndikojë një ndërhyrje e mundshme e Shteteve të Bashkuara në Irak në politikën amerikane ndaj Ballkanit dhe ndaj Kosovës, në veçanti?

J.HOOPER: Së pari, kjo do të thotë se administrata është krejtësisht e përqendruar te Iraku, dhe mendoj se kjo është e përligjur. Prandaj kjo nënkupton se përqendrimi te Evropa Juglindore, te Kosova dhe te një seri çështjesh të lidhura me këtë kanë kaluar në plan të dytë, e ndoshta në plan të tretë. Mendoj se kjo gjendje do të vazhdojë për një farë kohe. Së dyti, ekziston shqetësim i madh për një shpërbërje të mundëshme të Irakut, pra mundësia që zona kurde e Irakut të bëhet e pavarur dhe kjo do të krijonte probleme për SHBA me aleaten e tyre Turqinë, ndërsa zona shiite e Irakut mund të kalojë me Iranin e kështu me radhë. Unë mendoj se anjë nga këto nuk do të ndodhë, por ekziston shqetësim i madh për këto dhe qendrimi i Shteteve të Bashkuara është se nuk do të lejojë një copëtim të Irakut por do të përpiqet që Iraku të mbetet i bashkuar. Mendoj se kjo në Uashington do të krijojë një atmosferë të tillë, ku do të ketë më pak mbështetje për një pavarësi të Kosovës.

A.XH: Le të kalojmë tek zhvillimet në Kosovë. Kohët e fundit Serbia e ka intensifikuar retorikën e saj për Kosovën. Kryeministri Xhinxhiq ka kërkuar kthimin e forcave serbe të sigurimit në Kosovë, si dhe hapjen e bisedimeve të menjëhershme për statusin përfundimtar për Kosovën. Si spjegohet ky ndryshim i menjëhershëm i qëndrimit të zotit Xhinxhiq, dhe a mendoni se ka ardhur vërtet koha për të hapur bisedimet për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës?

J. HOOPER: Mendoj se së pari zoti Djindjiç po përpiqet të tregojë se ai është më aktiv në këtë çështje, se ai është më i suksesshëm për të bërë diçka për Serbinë dhe po përpiqet ta verë zotin Koshtunica në pozita mbrojtëse. Pra mendoj se këtu kemi një element të politikës së brendëshme. Por kjo nuk shpjegon gjithçka. Zoti Djindjic e ndjeu gjithashtu se ky ishte një rast për të treguar se komuniteti ndërkombëtar ka një farë simpatie për pozitat e serbëve. Ai synonte gjithashtu t’i kapte shqiptarët në befasi. Sepse ishin shqiptarët ata që thoshin se kërkonin pavarësinë mirëpo kjo nuk ndodhi dhe dukej sikur çështja ishte lënë pas dore. Tani, zoti Djindjic e shtron përsëri këtë çështje dhe tani ai nuk flet vetëm për bisedime por edhe për dëgimin e trupave. Për mendimin tim kjo tregon se vetë shqiptarët duhet të jenë më aktivë. Ata nuk duhet të supozojnë se do të jetë komuniteti ndërkombëtar që do të kujdeset për interesat e tyre. Ata duhet të ngulin më shumë këmbë në interesat e tyre. Ju mund të thoni se ekziston një marrëveshje de fakto midis synimit të zotit Djindjic dhe synimit të shqiptarëve të Kosovës në kuptimin që të dyja palët duan që të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Mirëpo, përgjigja e shqiptarëve për të paraqitur një rezolutë në parlament, mendoj se në vend që të tregonte forcë, ishte shprehje e dobësisë sepse rezoluta për pavarësinë mund të paraqesësh çdo ditë në parlament por kjo nuk do të thotë se do ta fitosh pavarësinë. Shqiptarët duhet ta peshojnë mirë se çfarë kërkojnë në këto negociata, kur do të zhvillohen bisedimet, me cilin do të bisedojnë, cila do të jetë suaza e bisedimeve, a do të jetë rezoluta 1244, ku do të zhvillohen ato si dhe një seri e tërë çështjesh që kanë të bëjnë me pronën private, me ekonominë, objektet fetare, trajtimi i pakicave, demokratizimi, të gjitha këto çështje duhen peshuar mirë sepse janë pjesë e paketës së pavarësisë. Shqiptarët duhet t’i mendojnë mirë të gjitha këto çështje dhe të jenë të gatshëm të punojnë me njëri-tjetrin për t’i arritur këto. Mendoj se me këtë zoti Djindjic po u tregon shqiptarëve se ata ende nuk kanë fituar autoritetin vetqeverisës nga UNMIK-u dhe se serbët qysh tani po e venë në veprim programin e tyre.

A.XH: A mendoni se kjo kërkesë e zotit Xhinxhiq i gjeti shqiptarët të papërgatitur?

J. HOOPER: Mendoj se ajo i gjeti shqiptarët shumë të papërgatitur. Mund të diskutohet shumë se cili ka qenë qëllimi i vëretetë i zotit Djindjic dhe siç e thashë unë mendoj se pjesërisht kjo ka të bëjë me politikën e brendshme në Serbi, por mendoj gjithashtu se ai po shfrytëzon rastin në komunitetin ndërkombëtar dhe hamendja ime është se ndoshta synimi i tij është që t’i japë fund sa më shpejt çështjes së Kosovës përmes bisedimeve. Ai po jep sinjalin se ka ardhur koha të ecet drejt bisedimeve. Ai kërkon në fund të fundit ndarjen e Kosovës. Pra, Beogradi do të kërkonte veriun, Mitrovicën dhe ky do të ishte çmimi që do të kërkonin ata për pranimin e një farë pavarësie. Përshtypja ime është se shqiptarët tani për tani janë të papërgatitur për këto çështje por ata duhet të merren me këto çështje, në rast të kundërt ata do të paguajnë çmimin. Pavarësia nuk do t’u dhurohet atyre. Ata do të duhet të punojnë për këtë, madje të punojnë shumë.

A.XH: Kohët e fundit Serbia dhe Mali i Zi ranë dakord për të ndryshuar Kushtetutën, për të krijuar një shtet të ri, të quajtur Serbia dhe Mali i Zi. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për Kosovën?

J. HOOPER: Kjo nënkupton së pari se Jugosllavia si koncept, ka mbaruar. Kemi të bëjmë me dy shtete në fakt të pavarur, të cilët po mbahen të bashkuar në një farë marrëveshje të quajtur Serbia dhe Mali i Zi. Këto po mbahen së bashku, për shkak të trysnisë evropiane. Mendoj se Serbia e shikon se Mali i Zi mund të shkëputet në vitet e ardhshëm. Kjo do ta bënte Kosovën akoma më të çmuar për ta. Prej këtej ata shikojnë nevojën për të marrë diçka nga Kosova, ndërkohë që ajo shkon drejt një farë pavarësie. Prandaj ata kërkojnë në thelb ndarjen e saj.

XS
SM
MD
LG