Lidhje

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja paraqitën në Këshillin e Sigurimit një projektrezolutë mbi Irakun - 2003-02-24


Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, paraqitën në Këshillin e Sigurimit një projektrezolutë, në të cilën thuhet se Iraku ka humbur rastin e fundit që iu dha për të plotësuar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për t’u çarmatosur, duke lënë të kuptohet se këto vende janë gati ta çarmatosin Irakun me forcë. Projektrezoluta u paraqit pikërisht kur Franca dhe Gjermania, dy vende anëtare të Këshillit të Sigurimit, që janë kundër përdorimit të forcës, u kundërvunë duke ofruar një plan që do t’i jepte Irakut edhe 4 muaj të tjerë për t’u çarmatosur plotësisht.

Në rezolutën e re thuhet se Iraku ka shkelur në mënyrë thelbësore detyrimet e tij për t’u çarmatosur dhe i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit që të arrijë në përfundimin se Bagdati nuk përfitoi nga rasti i fundit që iu dha për të hequr dorë nga armët e tij të shkatërrimit në masë.

“Regjimi irakian nuk po çarmatoset, tha presidenti Bush.”

Presidenti Bush paralajmëroi nga Shtëpia e Bardhë se Kombet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin rëndësinë e tyre, në se nuk miratojnë rezolutën e re, e cila e kërcënon Bagdatin me pasoja të rënda në se nuk çarmatoset, një formulim ky që Shtetet e Bashkuara dhe Britania mund ta përdorin si mbështetje ligjore për veprime ushtarake.

Zëdhënësi i presidentit Ari Fleischer:

“Presidenti, siç tha gjatë fundjavës, ka besim se sapo anëtarët e Këshillit të Sigurimit ta shohin rezolutën dhe çështja të hidhet në votë, ajo do të miratohet.”

Ministri i Jashtëm britanik, Jack Straw, shpreson që votimi për atë që do të jetë Rezoluta e 18-të e Këshillit të Sigurimit për Irakun, të bëhet nga mesi i marsit.

“Ne do të presim të kalojnë dy javë, ndoshta pak më tepër, para se të kërkojmë që të merret një vendim, tha ministri i Jashtëm britanik.”

Por rezoluta e re u hodh poshtë menjëherë nga Franca dhe Gjermania. Pas takimit që pati në Berlin me kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, presidenti i Francës, Jacques Chirac, u tha reporterëve se ai është dakord me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të cilët duan që inspektorëve të armëve të OKB-së t’u jepet më shumë kohë.

“Në fakt në situatën e tanishme, vuri në dukje zoti Shirak, ne nuk shohim ndonjë gjë që do të justifikonte një rezolutë të re. Lufta është gjithmonë zgjidhja më e keqe. Ajo është gjithmonë një dështim. Ajo është gjithmonë dramatike. Ajo është gjithmonë tragjike dhe ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta shmangur atë.”

Përkundrazi Franca dhe Gjermania po ofrojnë një plan, i cili do të kërkonte një zgjatje të afatit për çarmatimin e Irakut, për një periudhë prej më shumë se 4 muajsh dhe do të përcaktonte hapat e njëpasnjëshme që do të hidhte Bagdati me qëllim që të shmangte luftën. Kryeinspektori i armëve i OKB-së, Hans Blix, i ka thënë tashmë Këshillit të Sigurimit se Iraku nuk është çarmatosur plotësisht dhe nuk mund të përgjigjet për shumë nga programet e tij të armëve të ndaluara. Por këto konstatime nuk kanë arritur ta bindin shumicën e anëtarëve të Këshillit që inspektimet nuk janë të efektshme dhe që lufta mbetet tani e vetmja alternativë.

Që rezoluta e re të miratohet Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë nevojë për votat e të paktën 7 prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe që Rusia, Kina apo Franca të mos përdorin veton gjatë votimit. Megjithatë në gjendjen e tanishme ato mund të mbështeten vetëm në votat e Spanjës dhe të Bullgarisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG