Lidhje

Disa ekstremistë në rajonin e Mitrovicës e kanë bërë të vështirë bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara - 2003-02-27


Gjenerali në pension William Nash, anëtar i Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se disa ekstremistë në rajonin e Mitrovicës e kanë bërë të vështirë bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara. Zoti Nash, i cili ka qenë administrator i OKB-së për Mitrovicën, i tha Zërit të Amerikës se nga ana tjetër qeveria e Prishtinës duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar banorët serbë në të gjithë Kosovën.

VOA: A është ky hapi i parë, shenja e parë serioze e ndarjes së Kosovës në të ardhmen?

WN: Jam shumë i shqetësuar nga këto zhvillime, veçanërisht që ato vijnë nga Mitrovica. Do të thoja që janë dy veprime paralele që duhet të ndodhin: së pari, popullsia serbe në Kosovën e veriut e përqëndruar në Mitrovicë, duhet të marrë një vendim strategjik, që të bashkëpunojë dhe të jetë pjesë e adminsitratës së UNMIK-ut. Duke punuar me ketë administratë, me Naton me policinë ndërkombëtare, problemet e sigurisë dhe të zhvillimit të tyre ekonomik do të realizoheshin. Por në fakt, në rajon ka disa ekstremistë që e kanë bërë të vështirë bashkëpunimin që nga qershori i vitit 1999. Ata duhet të kuptojnë realitetin dhe duhet të punojnë për të ndihmuar popullsinë dhe jo ambiciet e tyre politike. Nga ana tjetër do të thoja se është shumë e rëndësishme që qeveria e Prishtinës duhet të bëjë një punë shumë më të madhe për të ndihmuar banorët serbë në gjithë Kosovën dhe t’i sjellin ata në qeverisjen politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës. Pra me pak fjalë njera palë duhet të bashkëpunojë dhe pala tjetër duhet t’i shtrijë dorën gjithë serbëve.

Kemi patur shenja edhe më parë që elementë të ndryshëm, që pas futjes së trupave të Natos më 1999 punojnë për ndarjen e Kosovës. Unë jam i bindur se ndarja e Kosovës do të ishte gabim, do të ishte gabim jo vetëm për banorët serbë të Kosovës por edhe për shqiptarët. Është shumë e rëdësishme që të punohet për një zgjidhje politike, për të respektuar të gjithë qytetarët. Çdo ide për ndarjen e Kosovës do të krijonte një mjedis politik që do të çonte në shtimin e akteve të dhunës, por do të shkaktonte edhe krijimin e njësive administrative që nuk do të ishin në gjendje të mbijetonin.

VOA: Nëse nuk do të ketë një ndarje të Kosovës në të ardhmen, atëhere si e parashikoni ju statusin e saj të ardhshëm?

WN: Siç pasqyrohet edhe në raportin e fundit të Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, unë besoj se është ende shumë herët për të filluar bisedimet konkrete për statusin përfundimtar të Kosovës. Këtë e them për një sërë arëyesh. Së pari, Kosova ende nuk ka arritur pjekurinë e duhur politike dhe përparimi e konsolidimi i demokracisë nuk janë ende në nivelin e duhur. Megjithëse është arritur përparim në shumë drejtime, mbetet ende shumë për t’u bërë, veçanërisht për të tërhequr gjithë banorët që të marrin pjesë në procesin politik. Së dyti, për vetë problemet në Serbi është e vështirë tani që të hapet një debat i arësyeshëm për statusin përfundimtar. Megjithatë mendimi im është se Prishtina dhe Beogradi duhet të fillojnë bisedimet e drejtepërdrejta për aspekte teknike që duhen zgjidhur pavarësisht nga forma që do marrë statusi përfundimtar. Probleme si pensionet, energjia elektrike, pronësia, privatizmi, borxhet, e të tjera si këto. Është e rëndësishme që udhëheqësit në të dyja vendet të flasin për këto.

VOA: Para disa vitesh, ju keni qenë vetë në Mitrovicë. A ka ndryshuar tani gjendja atje?

WN: Përgjigja është edhe po edhe jo. Ka patur një farë përparimi për integrimin e qytetit, por jo aq sa duhet. Nuk ka patur asnjë kthim të serbëve në jug të qytetit. Ka patur kthim të një numri relativisht të madh shqiptarësh në veri të qytetit, por edhe këta vetëm në zonat periferike jo brenda vetë qytetit. Elementët ekstremistë serbë në Mitrovicë paraqesin një problem të madh duke pneguar gjithë procesin. Prandaj ka rëndësi që udhëheqësit e moderuar ta thonë më me autoritet fjalën e tyre. Në të njejtën kohë komuniteti ndërkombëtar duhet t’u japë ndihma dhe t’u bëjë lëshime atyre që bashkëpunojnë. Pasi zhvillimi ekonomik i veriut të Mitrovicës është lënë jashtë vëmendjes dhe mundësitë janë për më shumë. Por kjo kërkon bashkëpunim pa dyshim.

VOA: Përse komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë i aftë ta zgjidhë problemin e Mitrovicës për gjithë këto vite?

WN: Është një çështje shumë e ndërlikuar. Një problem që për mua ka qënë një shqetësim i vazhdueshëm kur isha atje. Ka patur një mungesë vullneti për t’u marrë me Mitrovicën. Me këtë qytet në fakt duhet zbatuar politika e kërbaçit dhe e kulaçit, pra nga njera anë me forcë nga ana tjetër me lëshime. Kur isha atje si administrator problemi më i madh që më ka shqetësuar ishte se nuk arrita të sillja investime ekonomike në rajon. Kjo kërkon përpjekje shumë më të mëdha nga komuniteti ndërkombëtar, Nato, Kombet e Bashkuara dhe policia. Por po ashtu duhet vullnet i mirë nga shqiptarët dhe bashkëpunim nga pala serbe.

//rd//

XS
SM
MD
LG