Lidhje

Franca hedh poshtë propozimin britanik - 2003-03-13


Franca deklaroi se nuk e mbështet propozimin britanik i cili vë kushte që Iraku duhet të plotësojë për të provuar se po çarmatoset dhe për të evituar luftën.

Ministri i jashtëm francez, Dominik dë Vilpën tha sot në një deklaratë se propozimi britanik nuk u përgjigjet pyetjeve të shtruara nga komuniteti ndërkombëtar. Në deklaratë thuhet se fjala nuk është për t’i dhënë Irakut disa ditë më shumë përpara se të përdoret forca, por për të ecur me vendosmëri në rrugën e çarmatimit paqësor.

Duke reaguar ndaj deklaratës franceze, Sekretari i Jashtëm britanik, Jack Straw tha se i duket i jashtëzakonshëm fakti që propozimi i Londrës u hodh poshtë pa u shqyrtuar si duhet.

Britania e parashtroi propozimin e saj dje, në kuadrin e përpjekjeve për të dalë nga situata e bllokuar në Këshillin e Sigurimit lidhur me një projekt-rezolutë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Spanja, dokument që do t’i hapte rrugën veprimeve ushtarake kundër Irakut.

Edhe ministri i jashtëm irakian, Naji Sabri e hodhi poshtë projektrezolutën, duke e quajtur atë përpjekje për të zbukuruar një plan tashmë të dështuar.

Rusia dhe Kina përsëri lanë të kuptohet se nuk shikojnë nevojën për një rezolutë të re mbi Irakun.

Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Franca, Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos dhe secila prej tyre mund të bëjë që projektrezoluta të mos miratohet.//ii

XS
SM
MD
LG