Lidhje

Kalendari Historik 17 mars - 2003-03-19


Më 17 mars 1941, presidenti Franklin D. Roosevelt përuroi zyrtarisht, Galerinë Kombëtare të Artit, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, Washington. Presidenti Roosevelt kishte parasysh gjatë ceremonisë se pjesa më e madhe e veprave të artit të Galerisë vinin nga Evropa, e cila në atë kohë ishte përfshirë nga flakët e Luftës së Dytë Botërore. Presidenti tha se muzeu do të ndihmonte për të ruajtur lirinë e shpirtit njerëzor dhe se ishte një lidhje e dukshme ndërmjet artit në Amerikë dhe traditave artistike të Evropës. “ Mendoj se muzeu i ri nënkupton një lidhje të re, të shprehur me anë të pikturës dhe skulpturës, ndërmjet gjithë popullit amerikan dhe traditës së vjetër të trashëguar të arteve” tha presidenti. Komentet e presidentit Roosevelt paralajmëronin mbështetjen e tij për demokracitë e Evropës, që luftonin kundër ekspansionizmit të Gjermanisë Naziste dhe aleatëve të saj.

Më 17 mars 1953, qeveria e Shteteve të Bashkuara i dha fund kontrollit mbi çmimet e mallrave që kishte hyrë në fuqi që në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kjo ndodhte 11 vjet pas fillimit të kësaj praktike dhe gati 9 vjet, pasi lufta kishte marrë fund. Ndërmjet mallrave që i nënshtroheshin kontrollit ishin vegla të makinerive, çeliku, bakri, squfuri dhe aliazhe të metaleve të rralla. Kontrolli qeveritar vazhdoi kaq gjatë për të parandaluar inflacionin e lartë të pasluftës dhe më pas u zgjat akoma për shkak të pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Koresë. Kontrolli mbi çmimet e shumicës së artikujve ushqimorë ishte hequr një muaj më parë me kërkesë të presidentit Dwight Eisenhower.

XS
SM
MD
LG