Ambasadori amerikan në Shkup, Lorens Batllër, tha mbrëmë se njerëzit në Maqedoni e kuptojnë se çfarë i ka bërë Sadam Husein popullit të tij dhe pjesës tjetër të botës.
”Ata që këtu, në Maqedoni, e kanë provuar konfliktin, e kuptojnë saktësisht se ç’do të thotë njerëz me armë, vejusha, jetimë, shtëpi të shkatërruara. Dhe ne e vlerësojmë këtë”.
Ambasadori amerikan lavëdroi udhëheqjen “shumë kurajoze” të presidentit Trajkovski, të mbështetur “shumë fort dhe në të njëjtën mënyrë” nga kryeministri Cërvenkovski ”në qëndrimin e tyre” nda luftës në Irak.
Ambasadori tha se ”të dy bashkë e kanë bërë të qartë se flamuri maqedonas valon me koalicionin” dhe se ”kontributi i Maqedonisë është po aq i vlefshëm dhe i nevojshëm sa i çdokujt tjetër”.
Ambasadori amerikan në Shkup mbajti një fjalim para një grupi politikanësh vendas në të cilin shpjegoi edhe njëherë qëndrimin amerikan në lidhje me luftën kundër regjimit të Sadam Huseinit.
Edhe ambasadori i NATO-s në Shkup, Nikolas Bigmën, u shpreh gjatë një vizite të tij në Kumanovë se mosmarrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane nuk do të prekin bashkëpunimin midis aleancës dhe Shteteve të Bashkuara. Ambasadori Bigman tha se megjithë ”një numër mosmarrëveshjesh dhe krizash, është arritur një qëndrim bazë për të vazhduar bashkëpunimin” dhe se mosmarrëveshjet do të tejkalohen. //az//