Lidhje

Iraku nuk pranon rezolutën për rifillimin e programit për ushqimin - 2003-03-29


Iraku hodhi poshtë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të bënte të mundur rifillimin e programit të ushqimit të kësaj organizate për Irakun, nën autoritetin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan.

Duke folur sot para gazetarëve në Bagdad, nënpresidenti i Irakut Taha Yassin Ramadan e quajti vendimin e OKB-së të paligjshëm dhe tha se nuk mund të vihet në jetë.

Zyrtarët irakianë thonë se Bagdadi duhet të ketë një rol në administrimin e programit “naftë për ushqim”, që lejon Kombet e Bashkuara që të përdorin të ardhurat nga nafta e Irakut për të blerë ushqime dhe barna për rreth 13 milionë irakianë.

Kundërshtimi vjen një ditë pasi Këshilli i Sigurimit votoi për t’i dhënë zotit Annan më shumë autoritet për të drejtuar programin gjatë 45 ditëve të ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm e ndërpreu programin më 17 mars, kur tërhoqi punonjësit e OKB-së nga Iraku në prag të ndërhyrjes në Irak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Annan thotë se shpejtësia e rifillimit të programit të ushqimit do të varet nga situata ushtarake në Irak.

Kombet e Bashkuara bënë dje thirrje për 2.2 miliardë dollarë për të ndihmuar me ushqime irakianët që kanë nevojë për gjashtë muaj. Më shumë se gjysma e parave do të përdoren nga Programi Botëror i Ushqimit me qendër në Romë për të blerë ushqime.//kk//

XS
SM
MD
LG