Lidhje

Kalendari Historik 1 prill - 2003-04-01


Më 1 prill 1960, Shtetet e Bashkuara lëshuan me sukses satelitin e parë të Tokës të pajisur me një kamerë televizive. Syri i ri në qiell u quajt TIROS, nga gërmat e para të fjalëve anglisht Television and Infra-red Observation Satellite (Satelit për vrojtim në valët televizive dhe infra të Kuqe). Tiros-i e kishte diametër rreth një metër, peshonte rreth 120 kilogramë dhe vërtitej rreth Tokës çdo 99 minuta. Ai transmetonte pamje televizive të mbulesës së reve të Tokës, si edhe tipare të tjera meteorologjike. Pamja e modeleve të motit u dha meteorologëve një mjet të ri shumë të vlefshëm. Tirosi ishte një nga të parët e shumë satelitëve që ndihmuan në revolucionarizimin e parashikimeve të motit dhe të ndërlidhjes.

Më 1 prill 1945 forcat amerikane zbarkuan në ishullin Okinava që mbahej nga trupat japoneze. Pushtimi i ishullit u mbështet nga një flotë detare, më e madhja e këtij lloji e krijuar ndonjëherë në Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore. Okinava u zgjodh si objektiv i këtij operacioni meqenëse ajo mund të shërbente si bazë ajrore në sulmet kundër ishujve të tjerë japonezë. Luftanijet e vendosura në Okinavë do t’u jepnin mundësi forcave ushtarako-detare të Aleatëve, që të ndërprisnin lidhjet detare ndërmjet Japonisë dhe posteve të saj të avancuara në Azinë Juglindore. Amerikanët prisnin dhe në fakt hasën në një rezistencë të fortë nga ana e ushtarëve dhe aviatorëve japonezë që mbronin ishullin. Por rezistenca u mposht më 21 qershor 1945, gati 3 muaj pas fillimit të betejës për Okinavën. Kjo ka qenë një nga betejat më të kushtueshme të Luftës së Dytë Botërore. Humbjet amerikane në Okinavë llogariten në rreth 12 mijë e 500 të vrarë dhe 36 mijë e 600 të plagosur. Humbjet japoneze, duke përfshirë edhe pilotët kamikaze, që bënin vetëvrasje, llogariten të paktën në 110 mijë. //ad//

XS
SM
MD
LG