Lidhje

Raport kritik i Avokatit të Popullit për të drejtat e njeriut në Shqipëri - 2003-04-07


Avokati i Popullit i paraqiti të hënën një raport kritik Parlamentit për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Zoti Ermir Dobjani, i cili drejton për të tretin vit këtë institucion të ri, ka përfshirë në raport një seri shkeljesh të të drejtave të qytetarëve nga pothuaj gjithë institucionet shtetërore.

Avokati i Popullit ka trajtuar në këtë periudhë 4, 675 ankesa, pjesa dërrmuese e të cilave i adresohen shkeljeve nëpër gjykata, prokurori, ministritë e drejtësisë, të rendit publik si edhe të pushtetit vendor.

Një numër i madh shkeljesh janë regjistruar në çështjet që lidhen me njohjen e respektimin e pronave të qytetarëve, për të cilat Avokati i Popullit ashtu si dhe Bashkimi Europian kanë kërkuar hartimin e ligjeve të reja.

Zoti Dobjani i është drejtuar Parlamentit me propozime për ndryshime ligjore që të pakësojnë hapësirat e korrupsionit për administratën shtetërore. Ai është i mendimit se korrupsioni në Shqipëri ka një tendencë për t’u shndërruar në normë, falë mentalitetit të qytetarëve skeptikë për zyrtarët që marrin rryshfete në këmbim të shërbimeve pubilke.

Avokati i Popullit ka propozuar ndryshime në ligjet për privatizimin e ndërmarrjeve strategjike, ku Parlamenti lipset të ketë hapësirë më të madhe kontrolli mbi kontratat e shitjeve. Po ashtu zoti Dobjani ka ndërhyrë edhe në shumë raste që lidhen me të drejtën e studimit në Universitete, me ndëshkimet kolektive që ka ndërmarrë KESH me prerjen e dritave, dhe me abuzimet në kthimin e pronave, ku janë gjetur edhe shumë falsifikime dokumentash.

Avokati i Popullit vlerëson se shumë liri dhe të drejta të njeriut në Shqipëri vazhdojnë të shkelen dhe janë të rrezikuara, si e drejta e jetës, liria e shprehjes dhe e shtypit.

Raporti i Avokatit të Popullit përfshin dhe një seri shkeljesh të të drejtave të njeriut si: punësimi i fëmijëve dhe mosshkollimi i tyre, dhunimi i grave në familje dhe trafikimi i vajzave për prostitucion, për të cilat propozohet edhe forcimi i ligjeve për ndëshkimin e fajtorëve.

Disa ditë më parë në Tiranë u prit me shqetësim edhe raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, kritikat e të cilit gjithashtu ishin drejtuar kryesisht mbi policinë, gjykatat e korruptuara dhe administratën shtetërore.

XS
SM
MD
LG