Lidhje

Në Kosovë zhvillohet takimi i parë për transferimin e kompetencave - 2003-04-08


Në Prishtinë sot (8 prill) u mbajt takimi i parë i grupit të UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen e transferimit të përgjegjësive nga përfaqësuesit ndërkombëtarë te autoritetet vendore. Pas takimit u theksua se deri në fund të vitit do të jenë transferuar të gjitha përgjegjësitë e parashikuara në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit me përjashtim të kompetencave të rezervuara për UNMIKU-un. Ne emisionin Ditari i morre kete interviste kryeministrit te Kosoves, Bajram Rexhepi.

Zoti Rexhepi, fillimisht cilat janë komentet tuaja për takimin?

Kryeministri Rexhepi: Po është një takim i pritur për një kohë të gjatë. Pas një shtyrje dy javore më në fund arritëm që të filloj punën ky këshill i lartë për transferin e kompetencave, ku u diskutuan disa çështje kryesore. Së pari, u diskutua puna e mëparshme e grupeve punuese të qeverisë dhe të UNMIK-ut të cilët kanë identifikuar fushat ku do të bëhet transferimi i kompetencave. Nga ky këshill u formuan tri grupe të cilat do të mirren me identifikimin e burimeve njerëzore, financave, logjistikën si dhe me implementin e procesit të transferit të kompetencave. Pra këto janë tre grupet kryesore: Grupi për financa, logjistikë dhe rekrutim, që do të udhëhiqet nga zoti Ali Sadriu, Ministër i Ekonomisë. Grupi tjetër është grupi i ndihmës teknike i udhëhequr nga Ministri i Shërbimeve Publike, zoti Jakup Krasniqi, dhe grupi i tretë është monitorimi dhe intervenimi, nëse bëhet shkelja e rezolutës 1244. Pra, këto janë ato grupet operacionale të cilat do të kenë barën kryesore gjatë transferit të kompetencave. Mirëpo, mund të them se pritjet kanë qenë më të mëdha, edhe në rradhët e qytetarëve e edhe tonat si qeveri. Por vëmendja jonë si qeveri si dhe e parlamentit duhet të fokusohet në përpilimin e ligjeve, për arsye se asnjë transfer formal i kompetencave, nëse nuk përcjellet me ligje adekuate, atëherë efikasiteti i insitutcioneve tona do të jetë i mangët. Prandaj, ndër kërkesat kryesore që kishim ishte që ligjet që deri tani kanë kaluar nëpër qeveri dhe parlament të nënshkruhen sa më parë nga zoti Shtajner.

Zoti kryeministër, sot pas takimit u tha se transferimi i kompetencave duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Por me problemin ligjor që ju sapo përmendët, a jeni optimist se mund të përfundojë i miratimit të ligjeve dhe në çfarë faza pritet të kalojë procesi i transferimit të kompetencave?

Kryeministri Rexhepi:Ky është një aspekt kompleks. Përsa i përket gadishmërisë, fjala është për gadishmërinë për kapitullin pesë, të cilat edhe formalisht kanë qenë të transferuar, mirëpo gjerë tani pengesa kryesore ka qenë se ligjet që janë pregatitur, nuk kanë qenë të nënshkruara, prandaj nuk kanë mundur të funksionojnë ministritë në vëllimin e duhur. Vetëm të përmend disa nga rastet, siç janë ligji për menaxhimin e financave, pastaj ligji për tregtinë e jashtme, ligji për telekomunikacionin, e shumë të tjera. Ne mund të kemi të gjitha kompetencat e transferuar, por nëse këto ligje nuk nënshkruhen atëherë nuk kemi bazë juridike për të vepruar. Deri në fund të vitit besojmë se do të arrihet deri te zgjerimi i aktiviteteve të qeverisë, mirëpo edhe njëherë dua të theksojë se energjia jonë kryesore duhet të orientohet në përpilimin e ligjeve prioritare që janë për qeverinë dhe parlamentit. Ne as gjerë në fund të vitit, e as gjerë në fund të mandatit nuk mund t’i përpilojmë të gjitha ligjet të cilat i nevojiten një shteti, një qeverie, mirëpo shumicën e atyre që janë prioritare besojë se do t’i kryejmë gjerë në fund të vitit ose gjerë në fund të mandatit.

Zoti Rexhepi, përfaqësuesit serb në Kosovës, që bëjnë pjesë në institucionet që do të marrin përsipër më shumë kompetenca po e bojkotojnë këtë proces. Sa i shqetësuar jeni ju për qëndrimin e banorëve serb?

Kryeministri Rexhepi: Unë nuk jam aspak i shqetësuar, për arsye se kjo edhe është pritur, për arsye se ata kanë bërë paralajmërime edhe më parë se nuk do të marrin pjesë dhe transferin e kompetencave pasi e konsiderojnë si një pavarësim të Kosovës, dhe në kohën kur ata manipulohen nga krerët e Beogradit, dhe të liderëve të tyre në Kosovë, nuk mund të pritet një bashkëpunim më i ngushtë. Mirëpo, megjithatë, dyert mbesin të hapura edhe për komunitetin serb që të marrin pjesë në Këshillin për transfer, dhe nëse ata nuk marrin pjesë ata e izolojnë vetveten dhe nuk mund ta pengojnë procesin e transferit të kompetencave. Ata vetëm mund ta ngadalësojnë procesin, gjë që edhe e kanë bërë, qoftë me presion direkt ndaj zotit Shtajner, qoftë përmes New York-ut dhe zyrave ndërkombëtare dhe theksoi se veprime e tyre kundër transferit të kompetencave mund vetëm ta ngadalësojnë procesin. Zoti rexhepi, pa më parë ju u sprehët se ky ishte një takim i shumëpritur dhe Qeveria e Kosovës kishte këmbëngulur prej kohësh për transferimin e kompetencave. Tani që procesi filloi, a ndihet administrata e juaj e pregaditur për përgjegjësitë e reja që duhet të përballoni?

Kryeministri Rexhepi: Ne ndjehemi të pregatitur për arsye se një pregatitje një qind për qind nuk mund ta kemi asnjëherë, ajo është vetëm diçka e idealizuar. Mirëpo, që të jemi edhe më të pregatitur, ne duhet të përballemi me përgjegjësi konkrete në mënyrë që të rrisim kapacitet tona njerëzore. Pa u përballur me problemet reale ndoshta nuk do të ketë angazhim maksimal për arsye se gjithmonë e kemi dikë afër i cili do të punojë për ne. Prandaj, ne duhet të përballemi me probleme reale, baza solide është krijuar, do të thotë ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë.

//rd//

XS
SM
MD
LG