Në një mesazh të regjistruar për popullin irakian Presidenti theksoi se irakianët do të çlirohen së shpejti nga regjimi i Sadam Husenit. Në mesazhin e regjistruar në video-kasetë presidenti theksoi se sundimi i Sadam Husenit së shpejti do të marrë fund. "Në këtë moment, regjimi i Sadam Husenit po rrëzohet nga pushteti dhe epoka e frikës dhe mizorisë po merr fund. Forcat amerikane dhe të koalicionit tani po veprojnë në Bagdat dhe nuk do të ndalen derisa bandat e korruptuara të Sadamit të dëbohen", tha presidenti Bush.
Presidenti tha se trupat e koalicionit po respektojnë traditat e mëdha fetare të Irakut dhe do të ndihmojnë për ruajtjen e rendit para krijimit të një autoriteti të përkohshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja: "Ne do t’ju ndihmojmë të ndërtoni një qeveri paqësore dhe përfaqësuese të popullit, e cila të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Më pas forcat tona ushtarake do të largohen. Iraku do të përparojë si një vend i bashkuar, i pavarur dhe sovran që ka rifituar një vend të respektueshëm në botë", tha presidenti Bush.
Mesazhi i presidentit, i përkthyer në arabisht, hap një seri programesh televizive që do të transmetohen nga Bagdati çdo mbrëmje për pesë orë radhazi, nën drejtimin e Departamentit të Shtetit.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se mesazhi i presidentit është një mënyrë e rëndësishme për të komunikuar drejtpërdrejtë me popullin irakian dhe përfaqëson një fushatë më të gjerë për t’iu kundërvënë portretizimeve të forcave të koalicionit si një trupa pushtuese nga disa mjete arabe shtypi. Fushata informative e ushtrisë amerikane përfshin transmetime radiofonike 24 orëshe si dhe hedhjen në qarkullim të një gazete të re të shtunën në Irak.
Mesazhi televiziv i presidentit u regjistrua të martën në Irlandën e Veriut, ku ai po takohej me kryeministrin britanik Tony Blair. Edhe zoti Blair i përcolli mesazhin e tij popullit irakian, në të cilin thotë se qeveria e re e Bagdatit nuk do të diktohet nga fuqitë e jashtme: "Ky regjim do të rrëzohet. Më pas ne do të punojmë me ju për të ndërtuar një Irak në paqe dhe begati, të cilin e dëshironi dhe e meritoni. Ky Irak nuk do të qeveriset nga Britania, Shtetet e Bashkuara apo Kombet e Bashkuara, por nga ju, nga populli i Irakut", tha kryeministri Blair.
Sapo të përfundojë lufta, tha presidenti Bush, Iraku do të hyjë në një epokë të re dhe nuk do të jetë më rob i vullnetit të një diktatori mizor: "Ju do të jeni të lirë të ndërtoni një jetë më të mirë, dhe jo pallate për Sadamin dhe të bijtë e tij; do të jeni të lirë të angazhoheni për begatinë ekonomike, pa vështirësitë e sanksioneve ekonomike, të lirë të udhëtoni dhe të shprehni mendimin tuaj, të lirë të angazhoheni në çështjet politike të Irakut. Të gjithë ata që jetojnë në vendin tuaj -- kurdët, shi’itët, turkmenët, sunit dhe të tjerët do të çlirohen nga përndjekja e tmerrshme që kanë duruar kaq shumë prej tyre tha presidenti Bush.
//rd//