Lidhje

Çfarë roli po luajnë korrespondentët e luftës? - 2003-04-12


Ndërsa lufta në Irak vazhdon, mbi 500 gazetarë që shoqërojnë forcat amerikane dhe të tjera të koalicionit, po e mbulojnë atë. Programi i përzierjes së tyre me ushtarët ka ngjallur reagime të ndryshme nga gazetarë, akademikë dhe publiku amerikan. Çfarë roli po luajnë këta korrespondentë në përpjekjet e zyrtarëve amerikanë, politikanëve dhe gazetarëve për të paraqitur pikëpamjet e tyre për luftën?

Njoftimet e korrespondentëve të luftës që udhëtojnë me trupat ushtarake, i kanë bërë miliona shikues amerikanë që të ngulen para televizorit. Duke paraqitur nga afër pamje dhe histori personale për jetën dhe vdekjen në fushën e betejës, programi i ushtrisë amerikane për t’i lejuar gazetarët të udhëtonin me ta, u duk në fillim se po jepte një perspektivë të freskët mbi luftën, thotë profesorja e Universitetit George Washington, Janet Steele: “Dikush mund të thoshte se ishte një veprim i shkëlqyer marrëdhëniesh publike përmes të cilit sikur thuhej: ‘Ja ku jemi, nuk kemi sekrete, udhëtoni me ne, shihni se ç’po bëjmë. Ne jemi një shoqëri e hapur, ushtria jonë është e hapur’. Në këtë drejtim, është një zhvillim i madh, një përparim”, thotë profesorja.

Kolegu i saj, Steve Roberts jep një mendim të ngjashëm për futjen e korrespondentëve mes trupave, duke thënë se ata kanë sjellë skena të gjalla për herë të parë në mbulimin e luftës dhe se ushtria kishte bërë mirë që ua kishte dhënë gazetarëve këtë mundësi.

Por profesorja Steele thotë se me kalimin e ditëve dhe javëve, ka vënë re një ndryshim në marrëdhëniet mes gazetarëve dhe ushtrisë.

“Ndoshta roli i gazetarëve është disi i ndryshëm nga ai që kishte parashikuar në fillim Departamenti i Mbrojtjes. Jemi tani në një moment të çuditshëm, kur gazetarët kanë mundësinë të tregojnë se çfarë po shkon keq me luftën”, tha ajo.

Sipas një studimi të Projektit për Standarde të larta në Gazetari, 94 për qind e korrespondencave të gazetarëve që ishin në fushën e betejës ishin të sakta dhe se kjo mënyrë është më e mirë sesa mundësitë e kufizuara që iu dhanë shtypit në Luftën e Parë të Gjirit.

Por profesori i Universitetit George Washington dhe gazetar i vjetër i të përditshmes New York Times, Steve Roberts, thotë se ushtria mund të fillojë të mos jetë më aq e hapur.

“Një pjesë e frikës sonë mbi tundimin për të kufizuar mbulimin e ngjarjeve kanë filluar të vërtetohen, siç ishte kërkesa për të mos transmetuar videokasetat me robërit e luftës, për të cilën unë mendoj se nuk ishte e drejtë. Sigurisht që ishte një kërkesë e arsyeshme që të lihej pak kohë për të njoftuar familjet, por Pentagoni nuk donte që të shfaqeshin fare”, thotë ai.

Në studimin e Projektit për Standarde të Larta në Gazetari, shprehej shqetësimi për objektivitetin e gazetarëve me nëntitullin: “Nëse goditen trupat, goditemi edhe ne”.

Zoti Roberts gjithësesi thotë se nuk janë të gjithë gazetarët njëlloj. Sipas tij, disa kanë prirjen t’i interpretojnë ngjarjet, të tjerë kanë një përkushtim të patundur ndaj objektivitetit.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, shumica e amerikanëve e pëlqejnë pasqyrimin e luftës nga korrespondentët që shoqërojnë trupat, por procesi vazhdon të ngjallë kritika dhe vlerësime në univeristete, ashtu si edhe nëpër shtëpitë e amerikanëve. //kk//

XS
SM
MD
LG