Administrata e presidentit Bush po shqyrton marrëdhëniet me Sirinë pas akuzave se Damasku po u ofron ndihmë dhe strehim anëtarëve të qeverisë së rrëzuar irakiane dhe po zhvillon armë të shkatërrimit në masë. Korrespondenti Nick Simeone njofton se shtimi i kritikave ndaj Sirisë ka shtruar pyetjet se a do të jetë ky vend që akuzohet nga Shtetet e Bashkuara se mbështet terrorizmin objektivi i ardhshëm ushtarak i Amerikës.
Presidenti Bush dhe zyrtarë të lartë të administratës i kanë drejtuar Sirisë një seri paralajmërimesh të hapura publike lidhur me rolin e saj në ndihmë të Irakut:
Duket se ata po bëjnë përpjekje të vetëdijshme për të mos i përfillur paralajmërimet, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld.
Ai e akuzoi Sirinë se ka furnizuar ushtrinë irakiane me mjete vëzhgimi në kushte errësire, se ka dërguar luftëtarë në Irak dhe se ka strehuar anëtarë të qeverisë së rrëzuar të Bagdatit:
Kemi të dhëna të shërbimeve të zbulimit që tregojnë se Siria ka lejuar shtetas të saj dhe shtetas të tjerë të futen në Irak, persona të armatosur si dhe persona me fletushka ku thuhej se të gjithë ata që vrasin amerikanë dhe anëtarë të tjerë të koalicionit do të shpërblehen. Kemi të dhëna që tregojnë se disa irakianë janë lejuar të futen në Siri, disa herë për t’u strehuar dhe disa herë tranzit për në një vend tjetër, tha sekretari i mbrojtjes.
Administrata ngriti dje një akuzë të re, kur tha se ka vëzhguar prova me armë kimike të kryera nga Siria gjatë 15 muajve të fundit, se Siria ka rezerva të gazit nervor sarin dhe po përpiqet të prodhojë edhe lëndë të tjera toksike.
Të gjitha këto komente janë një gjuhë e ashpër diplomatike që do të shqetësonte çdo vend fqinj të Irakut, po të kihen parasysh zhvillimet e atjeshme. Dje Sekretari i Shtetit Kolin Pauëll tha se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë masa të mundshme diplomatike, ekonomike dhe të tjera kundër Sirisë. Në fillim të këtij muaji, Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Paul Wolfowitz bëri këto komente në emisionin “Meet the Press” të rrjetit NBC:
Ata po bëjnë veprime që s’duhet t’i bëjnë dhe do të ishte në të mirë të tyre t’i ndalnin këto veprime sa më parë. Siria duhet ta ketë të qartë se do të përgjigjet për veprimet që ndërmerr tani, tha zoti Wolfowitz.
Siria ka qenë kundërshtare e fortë e luftës për të rrëzuar Sadam Huseinin. Zëvendës ambasadori i saj në Shtetet e Bashkuara Imad Moustapha i kundërshton me forcë akuzat e administratës:
Qeveria jonë ka thirur ambasadorin amerikan në Damask në ministrinë e punëve të jashtme për të na njohur me ndonjë informatë të tillë, ndonjë provë për këto akuza, tha ai.
Zëvendës ambasadori sirian thotë se akuzat e kanë burimin tek armiku i Sirisë dhe aleati i Shteteve të Bashkuara, Izraeli.
Rachel Bronson, e Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë e pavarur këtu në Shtetet e Bashkuara, mendon se administrata e presidentit Bush synon ta shfrytëzojë shembullin e Irakut për t’u dërguar një mesazh të qartë qeverive të tjera në rajon:
Synimi është t’u bëhet e qartë se veprimet e tyre po vëzhgohen dhe se bëjnë mirë të mos përzihen. Por kjo duhej bërë sa më qetë, pasi ka krijuar një problem diplomatik. Mesazhet dërguar Sirisë dhe Iranit, pas veprimeve në Irak theksojnë idenë se tani u ka ardhur radha Sirisë dhe Iranit, thotë zoti Bronson.
Megjithëse asnjë zyrtar i administratës amerikane nuk ka thënë se Shtetet e Bashkuara synojnë ta shtrijnë luftën nga Iraku në Siri, disa zyrtarë kanë shprehur të njëjtat shqetësime për qeverinë e Damaskut që më parë kishin shprehur për Bagdatin. Tani që marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë po rishikohen, zyrtarët e administratës shpresojnë se paralajmërimet do të mjaftojnë që Siria të ndryshojë qëndrim.//ii