Lidhje

Lufta në Irak dhe ekonomia amerikane - 2003-04-22


Ndërkohë që fushata ushtarake në Irak po merr fund, administrata e presidentit Bush po e përqëndron vëmendjen tek nxitja e ekonomisë së vendit. Korrespondenti Victor Morales i hedh një vështrim ndikimit që lufta në Irak dhe lufta kundër terrorizmit mund të kenë në zhvillimin ekonomik të Shteteve të Bashkuara dhe të botës.

A do t’i japë lufta në Irak një farë shtytjeje ekonomisë amerikane? Shpenzimet qeveritare të mbrojtjes për pajisjet dhe materialet e përdorura gjatë luftës së bashku me rindërtimin e infrastrukturës së Irakut ka mundësi të krijojnë më shumë biznes për kompanitë amerikane në të ardhmen e afërt. Por ekziston edhe ana negative e shpenzimeve të tilla.

Sipas Gary Becker, fitues i çmimit Nobel të ekonomisë në Universitetin e Chicagos, lufta mund të ndikojë tek ekonomia në dy drejtime.

“Nga njëra anë, ne shpenzuam fonde për luftë, ndërkohë që alternativa mund të kishte qënë paqja dhe asnjë problem me Irakun. Këto janë fonde që i merren ekonomisë, pra janë një kosto. Nga ana tjetër, çmimi i naftës: në se prodhimi i naftës irakiane shtohet pas rindërtimit të vendit, çmimi i naftës do të bjerë. Pra, në përgjithësi mendoj se ndikimi i luftës në Irak mbi ekonominë amerikane do të jetë shumë i vogël.”

Marc Miles është drejtor i Qendrës për Tregëtinë dhe Ekonominë Ndërkombëtare në Fondacionin Heritage në Washington.

“Në fillim ekzistonte pasiguria në se do të hynim apo jo në luftë, pasiguria rreth rezultatit dhe kohëzgjatjes së saj. Pasiguria i bën njerëzit të hezitojnë, por tani ajo kapërcyer dhe njerëzit ose më mirë të them konsumatorët dhe prodhuesit, kanë prirjen t’i vënë në jetë planet e tyre. Mendoj se ky është një lajm i mirë, që ka të ngjarë ti japë shtytje tregjeve financiare.”

Llogaritjet fillestare të kostos për rindërtimin e Irakut i kalonin të 100 miliardë dollarët. Është shtruar pyetja se kush do të paguajë për këtë. A do ta ngadalësojnë ritmin e zhvillimit të ekonomisë amerikane lufta dhe rindërtimi i Irakut?

Sipas ekonomistit Ken Goldsein, çmimi për Irakun është vetëm një pjesë e shqetësimeve ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

“Çmimi për luftën dhe rindërtimin e Irakut nuk është i vetmi shqetësim ekonomik. Në fakt, edhe FMN-ja dhe Banka Botërore i kanë ulur parashikimet ekonomike për Shtetet e Bashkuara, duke u bazuar këtë pikërisht në rritjen e deficitit për shkak të shkurtimit të taksave dhe për shkak të shpenzimeve në Irak. Dhe së fundi, ideja se nga fundi i këtij dhjetëvjeçari i ashtuquajturi brezi Baby Boom do të fillojë të dalë në pension. Pra deficiti buxhetor është i madh dhe po shtohet për shkak të gjithë këtyre arsyeve, dhe jo vetëm për shkak të Irakut.”

Mosmarrëveshjet para luftës në Këshillin e Sigurimit dhe tensionet midis një pjesë të Evropës perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara çuan në bojkotimin e mallrave në të dyja anët e Atlantikut. Disa ekonomistë kanë frikë se marrëdhëniet e tendosura diplomatike të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe pjesë të tjera të botës mund të ndjehen edhe në sferën ekonomike.

Edward Leamer është ekonomist në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles dhe drejtor i Qendrës Anderson, e cila bën parashikime për ekonominë dhe biznesin e Shteteve të Bashkuara.

“Më shumë se 400 miliardë dollarë vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga burime të huaja, shumë kjo e barabartë me 4 përqind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Kjo përbën një disbalancë të madhe. Në se investitorët në botë humbasin interesimin kjo do të shkaktonte probleme të mëdha për Shtetet e Bashkuara në të ardhmen e afërt.”

Ekzistojnë mendime shumë të ndryshme mes ekonomistëve lidhur me ndikimin që lufta në Irak dhe lufta kundër terrorizmit do të ketë mbi ekonominë amerikane dhe globalizimin. Por shumica e ekonomistëve janë të një mendimi se më shumë mund të preken transferimi i kapitalit njerzor dhe ideve. Lufta kundër terrorizmit ka çuar qysh tani në kufizime të reja të udhëtimeve dhe imigracionit.

Pas luftës në Irak dhe ndërkohë që lufta kundër terrorizmit vazhdon, shumica e analistëve janë të një mendimi se natyra e zhvillimit ekonomik ndërkombëtar dhe ndërvartësia do të ndryshojnë. Por tani për tani, shumica e vëzhguesve thonë se në horizont shikojnë një zhvillim të ngadalshëm, por të pandërprerë.//ii

XS
SM
MD
LG