Lidhje

Raporti i OKB-së për Kosovën - Intervistë me Kryeministrin Bajram Rexhepi - 2003-04-25


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi ditët e fundit për gjendjen në Kosovë, për përparimet dhe mangësitë në përpjekjet për krijimin e një shoqërie demokratike.

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara tha se në Kosovë është arritur një farë përparimi për vendosjen e vetqeverisjes lokale por ende mbetet shumë për të bërë në këtë proces. Ndihmës sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse, Hedi Anabi, i tha Këshillit të Sigurimit se institucionet vetqeverisëse të krijuara rishtazi po marrin gradualisht përgjegjësi të reja. Në raportin e tij, zyrtari përmendi sidomos nënshkrimin vitin e kaluar të një marrëveshjeje, në të cilën grupet e ndryshme në Kosovë nënvizonin rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë midis të gjitha palëve. Ai vlerësoi gjithashtu përfaqësimin gjithnjë e më të madh të pakicave etnike në policinë kosovare. Por ai shprehu shqetësim se lufta midis partive politike dhe brenda tyre po e vonon procesin e demokratizimit. Ai shprehu gjithashtu shqetësim për faktin se udhëheqësit shqiptarë nuk kanë përfillur interesat e pakicave, sidomos në fushën e arësimit.

Raporti shpreh shqetësim edhe për shtimin e deklaratave ekstremiste nga ana e politikanëve të Kosovës si dhe për rastet e reja të dhunës.

Gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi amerikan në OKB, ambasadori Riçard Uilliamson i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që UNMIK-u të përfundojë transferimin e të gjitha kompetencave jo të rezervuara tek institucionet e perkohshme deri në fund të këtij viti.

Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Rino Harnish bëri të ditur të premten, përmes një kumtese, se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë me një rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtoni është i shqetësuar me krimin e organizuar, frikësimin e dëshmitarëve, tensionet ndëretnike dhe dhunën ekstreme.

Intervista me Kryeministrin Bajram Rexhepi

Zoti Rexhepi cili është reagimi juaj për raportin e fundit në Këshillin e Sigurimit?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Mendoj se ishte një raport befasues prezantimi nga Sekretari i Përgjithshëm ku flitet për dhunën ndëretnike, për pasigurinë, për lëvizjen e lirë të komuniteteve minoritare, në radhë të parë të atij serb, për mosmundësinë që të shprehen në gjuhën e tyre nëpër gjyqe. Këto ishin disa segmente që nuk përkojnë me realitetin dhe në se edhe ka patur ngecje në këtë drejtim, adresimi ishte gabuar, pasi këto janë të drejta të rezervuara. Unë kam përshtypjen që fjalori i përdorur në lidhje me sigurinë, lëvizjen e lirë, enklavat e të gjitha, i përngjante mjaft fjalorit të qeverisë serbe, konkretisht të zotit Çoviç dhe indirekt mund të mendohet se ajo pjesë e raportit ishte pjesë e raportit të dërguar nga qeveria serbe.

Megjithatë Kosova vazhdon të administrohet nga UNMIK-u dhe ky është një raport zyrtar, a jeni ju i shqetësuar për ato sa thuhen në raport? A ndjen qeveria juaj përgjegjësi, sado të vogël, për mangësitë që përmend raporti?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Sigurisht që ne nuk jemi të kënaqur plotësisht edhe me situatën e sigurisë, lëvizjes së lirë dhe me përparimin e proceve demokratike. Mirëpo raportet që prezantohen në Nju Jork përpilohen nga UNMIK-u këtu dhe kemi përshtypjen se paralelisht shkojnë edhe nga qeveria serbe, ndërsa institucionet tona vendore asnjëherë nuk marrin pjesë në përpilimin e këtyre raporteve dhe percepsionet tona të situatës në Kosovë janë mjaft ndryshe nga ato që prezantohen nga UNMIK-u dhe qeveria serbe.

Zoti Kryeministër raporti u ngarkon udhëheqësve vendorë përgjegjësinë kryesore për të mbështetur përpjekjet për arritjen e standarteve përpara statusit, ër të dënuar ekstremizmin dhe për të mos harxhuar energji për çështjen e statusit. Kritikët i akuzojnë shpesh udhëheqësit shqiptarë se ndërsa me fjalë i mbështesin kërkesat e administratorit Shtajner, shpesh me vepra ata punojnë në drejtim të kundërt, pra nuk janë të sinqertë sa duhet, sidomos kur është fjala për qëndrimin ndaj komunitetit serb. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Mendoj se asnjëherë nuk do të jemi të kënaqur me çështjen e lirisë së lëvizjes dhe integrimin e minoriteteve, mirëpo institucionet tona po bëjnë atë ç’ka mund të bëjnë, pjesën administrative ku ata janë të privilegjuar, ndërsa shumica e këtyre që u ngarkohen institucioneve tona janë të drejta të rezervuara, ku ne nuk kemi qasje të drejtëpërdrejtë. Konkretisht mendoj se qeveria ka bërë mjaft dhe do të bëjë më shumë në këtë drejtim. Përsa i përket përkrahjes së zotin Shtajner dhe misionit të UNMIK-ut, ata do ta kenë përkrahjen me aq sa janë efikas në realizimin e mandatit të tyre. Një prej tyre është ngecja e madhe në pjesën veriore të Mitrovicës, në zhvillimin ekonomik dhe në shumë çështje të tjera, ku në një mënyrë, më shumë bëhen pengesa se sa bëhen përparime. Prandaj do të kenë aq respekt sa meritojnë.

Zoti Rexhepi, në raport veç kritikave përmenden edhe përparimet e bëra deri sot. Si kryeministër, ku e ndjeni ju nevojën se duhet bërë më shumë?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Unë pajtohem se ne duhet të orientohemi në çështje konkrete dhe të bëjmë përparim konkret përsa i përket standarteve, të cilat janë shumë të rëndësishme për Kosovën, jo vetëm drejt përcaktimit të statusit, por edhe më vonë drejt integrimeve evropiane. Mirëpo ne edhe aty ku duhet t’i kemi kompetencat e transferuara, nuk mund t’i realizojmë për mungesë ligjesh, të cilat vonohen. Sidomos në lëmin e ekonomisë, kemi pak qasje, kemi qasje për ato pjesë ku bëhen këshillime, ndërsa në vendim-marrje kemi shumë pak qasje. Sipas mendimit tonë, deri tani, ky është një prej segmenteve ku më shumë është dështuar. Konkretisht është rasti i KEK-ut (Korporata Energjitike e Kosovës) një prej tyre.

Dhe së fundi zoti Rexhepi, cilat janë përparësitë kryesore të qeverisë tuaj për këtë vit, duke patur parasysh që procesi i transferimit të kompetencave parashikohet të përfundojë brenda këtij viti?

Kryeministër Bajram Rexhepi: Ne jemi deklaruar se do te punojmë më tepër, eventualisht, në zhvillimin ekonomik, në krijimin e vendeve të punës, në respektimin e sundimit të ligjit. Mirëpo që të zgjerojmë qeverinë, që të jetë më funksionale kemi ambicie të jemi më aktivë dhe të formojmë edhe ministri si ajo e Jurisprudencës, Ministria e Brendshme, e Energjitikës dhe disa ministri të tjera të cilat janë të domosdoshme për një funksionim të qeverisë. Këto janë ambiciet tona që synojmë t’i realizojmë deri në fund të vitit. Mirëpo në momentin e tanishëm, se si shihen pengesat, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, me ndërhyrjen e Serbisë në misionin e UNMIK-ut këtu, ose drejtëpërdrejtë në Nju Jork nëpërmjet miqve të tyre, shihet se ky proces është mjaft i vështirë.

XS
SM
MD
LG