Lidhje

Rumsfeld takohet me trupat amerikane në Katar - 2003-04-28


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se veprimet e shpejta dhe të sakta të forcave amerikane në luftën e Irakut do të përdoren si model për operacionet e ardhshme ushtarake.

Gjatë një takimi që zhvilloi sot me trupat amerikane në Komandën Qëndrore amerikane në Katar, zoti Rumsfeld tha se çlirimi i Bagdadit në më pak se një muaj përbën ndoshta marshimin më të shpejtë drejtë një kryqyteti në historinë ushtarake moderne. Zoti Rumsfeld u tha ushtarëve që brohorisnin se në sajë të përpjekjeve të tyre, irakianët janë tani në gjendje të flasin lirisht, pa frikën e torturave apo të vdekjes.

Sekretari i Mbrojtjes gjithashtu foli kundër kritikëve të hershëm të luftës, duke theksuar se ata ishin të gabuar. Gjatë vizitës së tij, zoti Rumsfeld gjithashtu po zhvillon bisedime mbi angazhimet e ardhshme të forcave ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik.

Në një intervistë me rrjetit televiziv arab, al-Xhazira, zoti Rumsfeld tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë plane për të ndërtuar baza të reja ushtarake në Irak. Ai tha se bazat aktuale po përdorën për furnizmin e forcave të koalicionit dhe për shpërndarjen e ndihmave humanitare. Zoti Rumsfeld tha se forcat amerikane tani kanë më pak arsye të qëndrojnë në atë rajon pas përmbysjes së Sadam Hussein-it. Ai gjithashtu këmbënguli se Uashingtoni nuk dëshiron të dislokojë forca amerikane në vende ku ato nuk janë të mirëpritur.

Sekretari Rumsfeld e filloi dje turneun e tij në rajonin Gjirin Persik. Ai po viziton trupat dhe po takohet me udhëheqësit e vendeve të rajonit për t’i falenderuar ata për mbështetjen e tyre në luftën në Irak. Zoti Rumsfeld ka gjithashtu në plan të vizitojë këtë javë Afganistanin për bisedime me presidentin Hamid Karzai.

//rd//

XS
SM
MD
LG