Lidhje

Majko: Shqipëria e hapur për një prani më të madhe ushtarake amerikane nëse kjo do t’i kërkohej. - 2003-05-14


Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i cili vazhdon vizitën në Uashington, thotë se marrëdhëniet midis forcave të armatosura të të dy vendeve kanë arritur pikën më të lartë në historinë e tyre. Ai tha se kishte marrë oferta ndihme nga Shtetet e Bashkuara për ushtrinë shqiptare dhe shtoi se Shqipëria është e hapur për të lejuar një prani më të madhe ushtarake amerikane në vend nëse kjo do të kërkohej nga Shtetet e Bashkuara. Zoti Majko i bëri këto komente mbrëmë pas përfundimit të takimeve të punës që ka patur këto ditë në Pentagon, ku dy palët nënshkruan edhe një marrëveshje për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Njofton korrespondenti Ilir Ikonomi.

Shqipëria ka vetëm një kompani prej 71 vetash në Mosul të Irakut, e cila ndërvepron me divizionin 101 të Shteteve të Bashkuara. Por sado simbolike kjo prani, roli i Shqipërisë si anëtare e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për luftën në Irak, vazhdon të vlerësohet nga qeveria amerikane.

Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, flet për një bashkëpunim të suksesshëm, që ai shpreson se do të konkretizohet me më shumë ndihma ushtarake amerikane për Shqipërinë.

Mbrëmë, në një pritje të dhënë nga ambasada shqiptare në Uashington, zoti Majko tha se marrëdhëniet ushtarake me Shtetet e Bashkuara ndodhen në pikën e tyre më të lartë dhe se ndihmat amerikane për ushtrinë shqiptare po hyjnë në fazën e konkretizimit.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë një varg ndihmash shumëplanëshe që fillojnë që nga mbështetja logjistike e deri në momentet speciale të integrimit të Shqipërisë në Nato dhe në strukturat e tjera euroatlantike. Por ajo që dua të theksoj është se me kënaqësi gjatë takimit që pata në Kongresin amerikan, më nënvizuan faktin se sapo kishte kaluar një ndihmë e qeverisë amerikane prej tre milion dollarësh që i dedikohej forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu jemi në pritje të diskutimeve të natyrave të tjera që kanë të bëjnë me ndihmat e ushtrisë amerikane për ushtrinë shqiptare. Mendoj se jemi në një fazë nga më realistet dhe mendoj se është një nga momentet më pozitive të marrëdhënieve midis dy ushtrive në historinë e tyre,” thotë ministri Majko.

Nën-sekretari amerikan i mbrojtjes, Paul Wolfowitz, ishte zyrtari më i lartë amerikan me të cilin u takua zoti Majko në Uashington.

Nënsekretari Wolfowitz, njëri nga arkitektët e luftës në Irak, premtoi ndihmë për ushtrinë shqiptare në disa fusha: rritjen e aftësive të Shqipërisë që forcat e saj të armatosura të mund të ndërveprojnë në të ardhmen me Naton, mbështetjen e reformës në ushtri dhe veprimtaritë e përbashkëta në çështjet e sigurimit të kufijve, të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe të operacioneve të kontrollit detar.

Shtetet e Bashkuara janë tepër të ndjeshme ndaj çështjeve të tilla si ato që kanë të bëjnë me armët e shkatërrimit në masë. Shqipëria është treguar e gatshme të bashkëpunojë në këtë fushë dhe kjo u konkretizua në marrëveshjen që zoti Wolfowitz dhe ministri Majko nënshkruan të hënën në Pentagon. Marrëveshja përcakton bazën ligjore për të dy vendet si dhe masat për të penguar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe për të përmirësuar aftësitë e Shqipërisë në sigurimin e kufijve të saj mjaft të depërtueshëm, të njohur për trafiqet e ndryshme që shpesh herë kalojnë pa u ndëshkuar.

Shqipëria thotë se i shikon Shtetet e Bashkuara si partner strategjik dhe midis dy vendeve po diskutohet tani në hollësi për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak. Në konsultimet e zhvilluara në Pentagon dje dhe pardje, këto hollësi përfshinin premtimin amerikan për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e strategjisë së saj ushtarake, kualifikimin e personelit ushtarak të rangjeve të larta dhe zhvillimin e një sistemi të integruar të komandës, kontrollit dhe komunikimit.

Debatet e nxehta midis të dy anëve të Atlantikut në prag të luftës në Irak janë ende të freskëta në kujtesë, prandaj Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shprehin angazhime ndihmash për ato vende që i ndihmuan moralisht në formimin e koalicionit të vullnetit. Shqipëria është njëri prej këtyre vendeve.

”Vendimi i Shqipërisë për të marrë pjesë krah për krah me SHBA në luftën e Irakut, për mua përbën një moment shumë cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve që do të ketë një impakt shumë afatgjatë,” shpjegoi zoti Majko.

Ministri shqiptar i mbrojtjes tha se Shqipëria është e hapur për të lejuar një prani më të madhe ushtarake amerikane në vend nëse kjo do të kërkohej nga Shtetet e Bashkuara. Por kjo çështje është ende në fazën e diskutimeve.

”Jemi duke e diskutuar dhe ju siguroj se kjo do të jetë një marrëveshje krejtësisht e ndryshme nga ajo e Bishtit të Pallës. Për mua, një bashkëpunim intensiv dhe një prezencë afatgjatë e SHBA në Shqipëri përbën një element tjetër cilësor por gjithsesi ky nuk është një element i vendosur dhe nuk dua të them se shumë shpejt në Shqipëri do të ketë një bazë amerikane. Ne jemi të hapur, opinioni i Shqipërisë edhe në bisedimet me Pentagonin u shpreh qartazi: nëse SHBA do të kërkojnë një prezencë të tyre në Shqipëri për arësyre të infrastrukturës së forcave të armatosura amerikane, Shqipëria do t’i përgjigjet menjëherë kësaj kërkese,” tha zoti Majko.

Ai tha se kjo çështje ishte diskutuar në parim me nënsekretarin amerikan të mbrojtjes Wolfowitz.

XS
SM
MD
LG