Lidhje

Kryetari i Partisë Republikane mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin dhe politikën e brendshme shqiptare - 2003-05-14


Në delegacionin që shoqëron ministrin shqiptar të mbrojtes, Pandeli Majko gjatë vizitës së tij në Uashington është edhe kryetari i komisionit parlamentar për integrimin evropian dhe Kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Zoti Mediu i dha të mërkurën një intervistë Zërit të Amerikës, mbi vizitën në Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, si do ta cilësonit vizitën e deritanishme të zotit Majko në Uashington dhe si po ecin diskutimet me palën amerikane?

Fatmir Mediu: Së pari dua të theksoj se është një vizitë në kohën e duhur e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, por edhe të parlamentit, sepse jemi dy deputetë që jemi së bashku me zotin Majko, në kohën besoj të marrëdhënieve më të mira të mundshme mes dy vendeve, të cilat natyrisht duhen shfrytëzuar në aspekte konkrete dhe një nga aspektet më konkrete, është marrëdhënia ushtarake. Reforma që ushtria shqiptare ka filluar është një reformë e miratuar nga të gjitha palët politike në Shqipëri, ka një konsensus dhe natyrisht ky angazhim i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në reformën ushtarake nuk i përket vetëm qeverisë, por i përket të gjitha forcave politike shqiptare dhe njëkohësisht gjithë shoqërisë shqiptare. Ana tjetër që dua të theksoj, është se përveç takimeve të fushës ushtarake, kemi patur takime me autoritete të larta të Shteteve të Bashkuara, të Amerikës, Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Senatit, Kongresmenë dhe senatorë të shumtë, në Departamentin e Shtetit sot ku vihet re qartë nota pozitive përsa i përket qëndrimit që ka mbajtur Shqipëria, në angazhimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër regjimit të Sadam Husesinit dhe terrorizmit në Përgjithësi, mbështetjen konkrete që ka dhënë duke treguar një partneritet të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra dua të theksoj se çdo lloj vizite që mund të vijë nga Shqipëria me një tematike konkrete, është shumë e vlefshme dhe besoj që duhet t’i intensifikojmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por jo vetëm të ngelemi në kuadrin e diskutimeve, por edhe të përfitimeve racionale të cilat do të shëndoshin demokracinë shqiptare dha nga ana tjetër do të krijonin një mundësi të një kooperimi shumë të qëndrueshëm në aspektin ekonomik dhe ushatarak.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, ju jeni Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian. Siç dihet pas luftës në Irak ka pasur disa tensionime në marrëdhëniet mes Shteteve te Bashkuara dhe disa vendeve evropiane, Franca, Gjermania. Si po orientohet politika e jashtme e Shqiperisë në këtë kontekst të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare?

Fatmir Mediu: Unë dua të theksoj që integrimi evropian është shumë i lidhur me integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Plotësimi i disa standardeve për integrimin euroatlantik të Shqipërisë, natyrisht që është një hap përpara edhe drejt integrimit evropian të Shqipërisë. Natyrisht nuk i takon Shqipërisë që të përzgjedhë, por është e detyrueshme për shkak të shumë faktorëve dhe arsyeve objektive dhe subjektive, zhvillimeve historike, që Shqipëria të ketë një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëqoftëse duket sikur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë krijuar ndoshta një hendikap të vogël në procesin e integrimit evropian, ne termat afatshkurtra, në termat afatgjata unë do të thoja që atë do të jenë shumë dobiprurëse, sepse vetë raportet e Shteteve të Bashkuara me Evropën do të rikthehen në gjendje normale, ose më mirë të them nuk është e gjithë Evropa në të njëjtat pozicione dhe një suport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Shqipërisë në procesin e integrimit evropian do të ishte mëse i vlefshëm.

Unë mendoj që ka një politikë të përbashkët tashmë të gjithë politikës shqiptare, të institucionit të parlamentit, përsa u përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo për faktin se rezoluta e parlamentit kaloi me konsensus të plotë në mbështetje të plotë të politikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe përsa i përket dërgimit të trupave komando në Irak. Kjo ishte shprehje e një arsyetimi të gjithë forcave politike shqiptare për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për shkak se është i njëjti vizion në marrëdhëniet që ne duam të krijojmë me Bashkimin Evropian.

Nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, mund të ketë sjellë ndonjë ndjesi jo fort pozitive në institucuionet evropiane, por unë mendoj që janë momente që kapërcehen, për vetë faktin, se edhe interpretimi i statutit, por edhe vetë realiteti i Ballkanit, krijon në mënyrë të domosdoshme idenë që kjo marrëveshje është mëse e vlefshme dhe parlamenti duhet të futet në rrugën e ratifikimit së saj. Mendoj që duhet të jemi disi më konkretë në diskutimet me partnerët tanë evropianë, jemi afër samitit të Selanikut i cili do të diskutojë rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në këtë kontekst unë mendoj se Shqipëria do të ketë kërkesat e veta konkrete. Si komision integrimi ne jemi përpjekur të mbajmë në mënyrë konstante raportet me qeverisjen për t’i kërkuar ato ç’ka duhen, por mbi të gjitha unë mendoj se Shqipëria veç politikës së jashtme, apo raporteve që krijohen duhet të jetë më konkrete në zbatimin e detyrimeve që ka. Ka një raport të Bashkimit Evropian i cili ishte jashtëzakonisht kritik për Shqipërinë, dhe ka një rezolutë të parlamentit shqiptar të miratuar me konsensus, e cil avendos detyrime mbi institucionet shqiptare për të kryer disa procese. mendoj që kjo rezolutë duhet parë me vëmendje për të arritur të plotësojë të gjitha detyrimet dhe mendoj që nuk është më një marrëdhënie diskutimesh në parim me Bashkimin Evropian, por zbatimesh konkrete të detyrimeve që ne kemi për të qënë sa më afër familjes evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu përse mendoni që Shqipëria ka aq shumë probleme për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian, a mungon vullneti politik, a mungojnë aftësitë e shtetit shqiptar ?

Fatmir Mediu Mendoj që vullneti politik është i shprehur. Mungon konkretizimi i detyrimeve. Kjo vjen për shkak të dobësisë së institucioneve, nga ana tjetër mendoj që qeverisja shqiptare është e bartur me probleme jo të vogla. Vetë fenomenet e krimit të organizuar kanë influencën dhe lidhjet e veta me struktuara të caktuara të qeverisjes. Kjo forcë negative e Shqipërisë por edhe e rajonit më gjerë, që është krimi i organizuar, natyrisht që nuk është e interesuar për një marrëdhënie me Bashkimin Evropian, me proceset e integrimit euro-atlantik dhe është gjithmonë një forcë regresive dhe penguese. Mendoj që ky është momenti që politika shqiptare, përveç vullnetit duhet të shikojë që ku duhet të jenë hapat konkretë në mënyrë që këto fenomene që janë shumë dëmprurëse, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni të fillojnë të kenë përballë presionin e politikës por edhe angazhimin konkret të strukturave qeverisëse. Unë mendoj që qeveria shqiptare ka probleme jo të vogla në drejtim të të kuptuarit të funksionit ekzekutiv të saj. Shpesh duket sikur qeveria shqiptare është e mjaftuar vetëm me diskutimin në parim të problemeve dduke lënë mënjanë problematikën që fillon që me varfërinë, paapunësinë, ekonominë, me problemet shumë të mëdha siç e përmenda të krimit të organizuar. Pra mendoj që është më tepër e veshur me demagogji, me sfodnin demagogjik se sa me angazhimin konkret për të zgjidhur problemet. Këto vinë e para për një mungesë të qartësisë së qeverisjes dhe nga ana tjetër për një mungesë të angazhimit konkret.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, në raportin e Bashkimit Evropian përmendet edhe një prej çështjeve më delikate ende të pazgjidhura në Shqipëri, çështja e pronave, për të cilën partia juaj po këmbëngul me forcë. A pritet ndonjë zgjidhje së afërmi e kësaj çështjeje?

Fatmir Mediu Së pari besoj se duhet të ketë një kuptim rreth kësaj çështjeje nga të gjitha forcat politike shqiptare. Besoj që politika shqiptare dhe shteti shqiptar duhet të kuptojnë se ku është limiti i autoritetit të tyre. E drejta e pronës private nuk mund të abuzohet nga shteti në mënyrë abuzive. Kushtetuta e ka përcaktuar se si rregullohet e drejta e pronës dhe mbi këtë llogjikë ne kemi përgatitur një ligj bashkë me një deputet të Ballit Kombëtar dhe prej kohësh e kemi çuar në parlament për të mos thënë që ka patur inisiativa të mëparshme të deputetëve të Partisë Republikane prej kohësh në parlament, por kemi ndeshur gjithmonë me një reagim negativ nga ana e qeverisjes. Dua të theksoj që për fat të mirë ka një angazhim të të gjitha forcave të opozitës për të mbështetur këtë projekt-ligj, i cili për gjykimin tonë që e kemi përgatitur, me mbështetjen e pronarëve shqiptarë, i jep zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës private dhe nuk jep vetëm zgjidhjen e një padrejtësie por në fund të fundit krijon terrenin e favorshëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, të thithjes së investimeve të huaja. Por po të shikojmë dhe të bëjmë një krahasim me projektligjin e paraqitur nga qeveria duket qartë që me projektligjin e qeverisë ekziston elementi i subjektivizmit dhe i preferencës për t’i zgjidhur çështjet sipas interesave politike duke u fshehur në të quajturin problem social, ose konflikt social që mund të ndodhë me çështjen e pronës. Ka një angazhim konkret të OSBE-së përsa i përket kësaj çështjeje, shpresoj që të kemi mirëkuptimin politik bazuar edhe mnbi tryezën e organizuar tek presidenti i republikës i cili ka pas angazhimin maksimal për të respektuar të drejtën e pronës si një e drejtë kushtetuese.

XS
SM
MD
LG